Interi ka zgjidhur një çështje të rëndësishme për të ardhmen, duke vazhduar bashkëpunimin me një prej futbollistëve më të qëndrueshëm të këtij sezoni, Carlos Augusto.
Kampioni aktual i Italisë ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me mbrojtësin brazilian, i cili do të jetë pjesë e skuadrës zikaltër deri më 30 qershor 2031.
27-vjeçari ka qenë një nga lojtarët më të dalluar të Interit gjatë këtij sezoni. Në 14 paraqitje në të gjitha garat, ai ka realizuar katër gola dhe ka dhuruar tri asistime.
Një tjetër vlerë e rëndësishme e brazilianit është fleksibiliteti i tij, pasi mund të luajë në disa pozicione, duke i dhënë trajnerit më shumë alternativa taktike.
Rinovimi pritet t’i sjellë edhe një përmirësim të ndjeshëm financiar. Nga 2.2 milionë euro në sezon, paga e tij do të rritet në rreth katër milionë euro, përfshirë bonuset.
Me këtë marrëveshje, Interi siguron shërbimet e Carlos Augustos për disa sezone të tjera, duke ruajtur në skuadër një futbollist që ka dhënë kontribut të rëndësishëm në këtë edicion.