Arsenali po përgatitet për një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit në Premier League. Të dielën, në stadiumin “Emirates”, londinezët presin Manchester Cityn në një përballje që mund të ketë ndikim të madh në garën për titull.
Para këtij derbi, sulmuesi Viktor Gyökeres u ka dërguar një mesazh të qartë bashkëlojtarëve, duke kërkuar që të mos shpërqendrohen nga problemet që po kalon kundërshtari.
Manchester City vjen në këtë përballje pas një periudhe të vështirë, duke marrë vetëm një pikë në katër ndeshjet e fundit në kampionat. Për më tepër, klubi vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes për shkak të çështjes ligjore që lidhet me pretendimet për shkelje të rregullave financiare të Premier League.
Megjithatë, Gyökeres insiston se këto zhvillime nuk duhet të ndikojnë në përgatitjet e Arsenalit.
“Jo, situata është kjo që është. Ne jemi të përqendruar te ndeshja e së dielës. Nuk mund ta kontrollojmë atë që ndodh jashtë fushës dhe nuk ka të bëjë me ne. Prandaj, nuk harxhojmë aspak energji duke menduar për këto çështje”, deklaroi sulmuesi suedez.
Arsenali e pret këtë përballje në një pozitë të mirë në tabelë, ndërsa synon të shfrytëzojë avantazhin e fushës vendase për të vazhduar rrugëtimin drejt titullit të Premier League.