Cesc Fabregas nuk e përjashton mundësinë që një ditë të rikthehet te Barcelona, kësaj radhe në rolin e trajnerit, por thekson se aktualisht është i përqendruar plotësisht te projekti i tij te Como.
Ish-mesfushori spanjoll po zhvillon një karrierë premtuese si trajner. Pas përfundimit të karrierës si futbollist te Como, ai vendosi të qëndrojë në këtë klub edhe si trajner, duke ndihmuar skuadrën të rritet dhe të bëhet një prej ekipeve konkurruese në futbollin italian.
Puna e tij ka tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha evropiane, ndërsa emri i Fabregasit është përmendur shpesh si një kandidat i mundshëm për stolin e Barcelonës në të ardhmen, si pasardhës i Hansi Flickut.
Megjithatë, 38-vjeçari nuk dëshiron të nxitojë dhe preferon të jetojë momentin.
Unë jam një prej atyre njerëzve që e pranojnë çdo ditë ashtu siç vjen. Të menduarit për të ardhmen zakonisht nuk të çon askund. Jam rritur në atë klub dhe i njoh të gjithë atje, por asnjëherë nuk më ka pëlqyer të mendoj shumë përpara. Kur e kam bërë këtë, gjërat nuk kanë përfunduar mirë, deklaroi Fabregas.
Ai tregoi gjithashtu se vazhdon ta ndjekë me shumë vëmendje Barcelonën dhe nuk dëshiron të humbasë asnjë ndeshje të katalunasve.
Nuk humbas asnjë ndeshje. Ditën tjetër po përgatitnim planin për takimin kundër AEK-ut, ndërsa unë e kisha Barcelonën duke luajtur në telefon. Asistentët e mi më thanë disa herë: Përqendrohu, kjo është e rëndësishme. Por unë e dua vërtet futbollin dhe Barcelona po luan në një nivel të jashtëzakonshëm, njësoj si PSG-ja apo Bayern Munichu, shtoi trajneri spanjoll.
Për momentin, Fabregas mbetet i përkushtuar ndaj projektit të Comos, por lidhja e tij e veçantë me Barcelonën bën që emri i tij të vazhdojë të përmendet sa herë që diskutohet për të ardhmen e bankinës katalunase.