Atletico Madridi ka marrë një lajm të keq pas fitores ndaj Vikingut në Ligën e Kampionëve. Sulmuesi norvegjez Alexander Sörloth ka pësuar një dëmtim muskulor në këmbën e djathtë dhe pritet të qëndrojë jashtë fushave deri në fillim të vitit 2027.
Sörloth u lëndua gjatë ndeshjes kundër Vikingut, në të cilën kishte shënuar edhe golin e tij të parë për këtë sezon. Në minutën e 71-të, gjatë një aksioni ku tentoi t’i asistonte Marcos Llorentes, sulmuesi u përplas fuqishëm me shtyllën dhe u detyrua të largohej nga loja.
Kontrollet mjekësore konfirmuan dëmtimin, ndërsa Atletico njoftoi se futbollisti do të ndjekë një program të veçantë rehabilitimi, pa përcaktuar një datë konkrete për rikthimin e tij.
Megjithatë, sipas mediave spanjolle, norvegjezi mund të mungojë në të paktën pesë ndeshjet e ardhshme. Në mesin e takimeve që rrezikon të humbasë janë edhe përballja me Elchen dhe udhëtimi në “Camp Nou” kundër Barcelonës.
Ky është një problem i madh për trajnerin Diego Simeone, pasi Atletico ka mbetur me vetëm një sulmues të gatshëm në dispozicion, Julian Alvarez.
Edhe Ademola Lookman është jashtë fushave për shkak të lëndimit dhe rikthimi i tij gjithashtu pritet në janar.
Situata bëhet edhe më shqetësuese për madrilenët, pasi Sörloth sapo kishte filluar të rikuperonte formën pas një fillimi të vështirë të sezonit. Tani Simeone duhet të gjejë zgjidhje për repartin ofensiv në një periudhë të ngarkuar të garave.