Hetimi i Kongresit Amerikan mbi marrëdhëniet mes presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, dhe presidentit amerikan, Donald Trump, po hyn në një fazë të re. Në mesin e personave që pritet të thirren për dëshmi është edhe Arsène Wenger.
Sipas raportimit të gazetës britanike The Guardian, demokrati Jamie Raskin, anëtar i Komisionit të Drejtësisë në Dhomën e Përfaqësuesve, ka nisur kontaktet me dëshmitarë të mundshëm dhe po përgatit thirrjet zyrtare, të cilat pritet të dërgohen në fillim të vitit 2027.
Në mesin e emrave që janë përfshirë në këtë proces është edhe Arsène Wenger, ish-trajneri legjendar i Arsenalit, i cili aktualisht ushtron detyrën e drejtorit të zhvillimit të futbollit botëror në FIFA.
Wenger pritet të japë sqarime lidhur me funksionimin e brendshëm të FIFA-s, si dhe anulimin e projektit tregtar FIFA Forward Enterprise.
Hetimi është përqendruar në disa çështje që kanë nxitur polemika gjatë dhe pas Kampionatit Botëror 2026, të organizuar në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Në fokus janë veçanërisht politikat e çmimeve të biletave dhe ndërhyrjet e pretenduara të Donald Trump në çështje që lidhen me futbollin.
Një prej rasteve që po shqyrtohet ka të bëjë me telefonatat e pretenduara të Trumpit për heqjen e pezullimit të futbollistit amerikan Folarin Balogun, para ndeshjes kundër Belgjikës.
Ndërkohë, Jamie Raskin i ka kërkuar Gianni Infantinos të dorëzojë dokumentacionin dhe komunikimet me Donald Trumpin, administratën federale amerikane dhe kompanitë e lidhura me familjen presidenciale. Krahas dokumenteve, Raskin ka kërkuar edhe paraqitjen e presidentit të FIFA-s në një seancë zyrtare dëgjimore.
Zhvillimet e fundit tregojnë se hetimi po zgjerohet përtej marrëdhënieve publike mes dy drejtuesve dhe po përfshin edhe vendimmarrjen e brendshme të FIFA-s, si dhe raportet e saj me administratën amerikane.