Trajneri i Chelseat, Xabi Alonso, ka pranuar se skuadra e tij po kalon një periudhë të vështirë, duke e cilësuar atë si të brishtë nga ana psikologjike.
Deklarata e spanjollit vjen pas humbjes së rëndë 4-1 nga Leeds United, rezultat që ka shtuar presionin mbi të dhe skuadrën londineze.
Chelsea ka regjistruar tri humbje në katër ndeshjet e fundit në Premier League dhe ka rënë në pozitën e tetë në tabelë.
“Jemi në një moment brishtësie mendore. Kur marrim një goditje, nuk arrijmë të rimëkëmbemi me forcën dhe qëndrueshmërinë e duhur”, deklaroi Alonso.
Ai pranoi se gjithçka ndryshoi pas golit të barazimit, kur Chelsea humbi besimin dhe kontrollin e ndeshjes.
“Pas golit të barazimit e humbëm plotësisht ritmin. Deri në atë moment po luanim mirë, krijonim raste dhe arrinim të dilnim nga presioni. Por më pas ata filluan të besonin, ndërsa ne humbëm besimin. Gjithçka ndryshoi rrënjësisht”, u shpreh trajneri spanjoll.
Alonso theksoi se skuadra duhet të punojë për të përmirësuar reagimin në momentet e vështira, pasi sipas tij, kjo është një nga kërkesat kryesore të Premier League.
“Duhet patjetër të gjejmë zgjidhje, sepse në çdo ndeshje mund të ketë momente të vështira. Duhet të jemi më të fortë, t’i kapërcejmë këto situata dhe të kuptojmë se ka ende shumë lojë për t’u zhvilluar. Kjo është e domosdoshme në këtë kompeticion”, përfundoi Alonso.