Sulmuesi i FC Prishtinës, Assane Diatta, është shpallur “Ylli i Javës” për xhiron e 14-të të Albi Mall Superligës.
Futbollisti nga Senegali e fitoi këtë çmim pas paraqitjes së shkëlqyer ndaj FC Drenicës, ku realizoi tre gola në fitoren e skuadrës kryeqytetase.
Ky është çmimi i tretë “Ylli i Javës” për Diattan në këtë edicion, duke dëshmuar formën e tij të mirë në kampionatin kosovar.
Pas marrjes së çmimit, Diatta foli për vështirësinë e ndeshjes dhe përgatitjet që i paraprinë kësaj përballjeje.
“Ishte një ndeshje e vështirë, sepse në kampionat të gjitha skuadrat janë kundërshtarë të fortë. Ne ishim përgatitur për këtë takim që para pushimit ndërkombëtar dhe zbatuam këshillat e trajnerëve dhe stafit. Kjo na ndihmoi ta zhvillonim mirë ndeshjen”, deklaroi Diatta.
Sulmuesi i Prishtinës theksoi se skuadra nuk dëshiron të merret me rivalët në renditje, por të përqendrohet në fitimin e çdo ndeshjeje.
“Ne përgatitemi ndeshje pas ndeshjeje. Nuk shikojmë skuadrat që janë pas nesh, por përpiqemi të fitojmë çdo takim. Kampionati është i gjatë dhe i vështirë, ndaj do ta shohim në fund se çfarë do të ndodhë”, u shpreh ai.
Diatta pati edhe një mesazh për bashkëlojtarët, të cilëve ua dedikoi meritat për tre golat e realizuar.
“Dua t’i përgëzoj bashkëlojtarët e mi, sepse ata e bënë të mundur këtë. I shënova tre gola, por kjo ndodhi falë tyre. I falënderoj shumë dhe u them të vazhdojnë kështu”, përfundoi sulmuesi i Prishtinës.
Çmimi “Ylli i Javës” ndahet nga FFK-ja në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, ndërsa vlerësimi bëhet nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.
