November 22, 2026

Spektakël me shtatë gola në Gjilan, Drita triumfon ndaj Feronikelit 74

Drita ka shënuar fitore dramatike ndaj Feronikelit 74, në një ndeshje spektakolare me shtatë gola, të zhvilluar të dielën mbrëma në kuadër të xhiros së 14-të të Superligës së Kosovës.

Skuadra gjilanase triumfoi me rezultat 4:3, pas një përballjeje me shumë emocione dhe përmbysje të shifrave.

Feronikeli 74 kaloi në epërsi që në minutën e dytë me golin e Albin Prapashticës, por Drita reagoi në minutën e 16-të, kur Besnik Krasniqi barazoi rezultatin në 1:1.

Vetëm shtatë minuta më vonë, Eduard Rroca shënoi për 2:1, duke përmbysur rezultatin në favor të vendasve.

Megjithatë, Feronikeli 74 nuk u dorëzua dhe në minutën e 37-të Ibrahim Cërvadiku realizoi për 2:2.

Në fillim të pjesës së dytë, konkretisht në minutën e 47-të, Blerim Krasniqi riktheu epërsinë e Dritës, ndërsa Lorik Dobratiqi barazoi në 3:3 gjashtë minuta më vonë.

Golin vendimtar për fitoren e Dritës e shënoi Oniks Grezda në minutën e 59-të, duke vulosur rezultatin përfundimtar 4:3.

Me këtë fitore, Drita shkon në kuotën e 27 pikëve dhe renditet në vendin e tretë, me tetë fitore, tri barazime dhe tri humbje.

Në anën tjetër, Feronikeli 74 mbetet në pozitën e shtatë me 15 pikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *