Ballkani përmbys Gjilanin në fund, derbi dhuron spektakël me katër gola!
Ballkani ka triumfuar në derbin ndaj Gjilanit, duke fituar me rezultat 3:1 në stadiumin e qytetit në Suharekë, në kuadër të xhiros së 14-të të Superligës së Kosovës. Skuadra vendase realizoi një përmbysje spektakolare, me të tre golat e saj të shënuar në dhjetë minutat e fundit të ndeshjes.
Derbi u bë dramatik në 20 minutat e fundit, kur u shënuan të katër golat e takimit.
Fillimisht, Gjilani kaloi në epërsi në minutën e 70-të, kur Armend Thaqi u tregua i saktë nga pika e bardhë. Penalltia u akordua pas ndërhyrjes së VAR-it, pasi Albin Berisha, në përpjekje për ta larguar topin, shkaktoi faull ndaj Oltion Bilallit brenda zonës.
Ballkani reagoi dhjetë minuta më vonë, kur pikërisht Albin Berisha u përkujdes për golin e barazimit, duke rikthyer shpresat e skuadrës së tij.
Gjilani pësoi një goditje tjetër në minutën e 86-të, kur Arbër Potoku u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe u detyrua ta lërë skuadrën me një lojtar më pak.
Epërsinë numerike Ballkani e shfrytëzoi në mënyrën më të mirë. Në minutën e 89-të, Dijar Nikqi realizoi për 2:1, duke e përmbysur rezultatin dhe ndezur festën në Suharekë.
Por, vendasit nuk u ndalën me kaq. Në minutën e 94-t, Abou Dosso vulosi fitoren me një goditje të fuqishme me të majtën nga zona. Goli fillimisht u anulua për pozitë jashtë loje, por pas rishikimit në VAR u konfirmua rregullsia e tij, pasi topi te Dosso kishte ardhur nga një lojtar i Gjilanit.
Me këtë fitore, Ballkani ngjitet në vendin e katërt me 22 pikë, duke e kaluar Gjilanin falë goldallimit më të mirë. Të dyja skuadrat kanë pikë të barabarta, por derbi i Suharekës përfundoi me një fitore të madhe për vendasit.
