Gashani i kundërpërgjigjet Ramës: Kosova do t’i organizojë Lojërat Mesdhetare 2030
Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka këmbëngulur se Kosova do t’i organizojë Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, pas paralajmërimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, se vendi rrezikon ta humbë të drejtën e organizimit.
Gashani, përmes një postimi në Facebook, ka kritikuar Ramën për publikimin e letrës së Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), duke pretenduar se korrespondenca nuk i pasqyron të gjitha komunikimet dhe angazhimet institucionale.
“Publikimi i kësaj korrespondence, pa pasqyruar tërësinë e komunikimeve dhe angazhimeve institucionale, me një dramaticitet të panevojshëm dhe me alarm të pabazë, përbën një qasje, thënë më së buti, problematike të kryetarit të Prishtinës, pa e përmendur faktin këtu se letra për trajtimin e punëve e shqetësimeve mes institucionesh partnere – jo për publikime e teatralitet në Facebook – i është drejtuar edhe atij, jo vetëm titullarëve tjerë të institucioneve, që ai, në stilin e fëmijës së pakënaqur e qaraman kur vijnë mysafirët, tenton t’i sulmojë”, ka shkruar Gashani në rrjete sociale.
Ministri ka theksuar se Qeveria e Kosovës do të jetë garantuese e organizimit, ndërsa ka bërë thirrje që vëmendja të përqendrohet te puna konkrete dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve.
“Qeveria e Republikës së Kosovës që nga fillimi është dhe do të jetë garantuesja e tyre. Prandaj, qytetarë të Kosovës, po e themi përsëri: Kosova do të organizojë Lojërat Mesdhetare 2030!”, ka shkruar Gashani.
Në reagimin e tij, ministri e ka kritikuar ashpër kryetarin e Prishtinës për mënyrën se si e ka bërë publik shqetësimin e ICMG-së, duke e cilësuar alarmimin e tij të panevojshëm.
Nga ana tjetër, Rama ka thënë se paralajmërimi i ICMG-së konfirmon shqetësimet e ngritura më herët për përgatitjet e Lojërave Mesdhetare.
Sipas letrës së publikuar prej tij, ICMG-ja ka shprehur shqetësim për mospërmbushjen e disa detyrimeve financiare dhe administrative, përfshirë mungesën e garancisë bankare dhe mospagesën e një tarife.
Në letër thuhet gjithashtu se më 19 dhjetor, Komiteti Ekzekutiv i ICMG-së do ta shqyrtojë propozimin për thirrjen e një Asambleje të Jashtëzakonshme, e cila do të vendosë për hapat e mëtejmë lidhur me organizimin e lojërave.
Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” janë një nga projektet më të mëdha sportive të planifikuara në Kosovë, por zhvillimet e fundit kanë nxitur debat mes institucioneve për përgjegjësitë dhe përmbushjen e detyrimeve organizative.
