Manchester City, vendimi për çështjen financiare pritet në janar
Premier League synon ta përmbyllë brenda këtij sezoni çështjen disiplinore ndaj Manchester Cityt, ndërsa procedurat e radhës pritet të zhvillohen në janar.
Manchester City pritet të përballet në janar me një zhvillim të rëndësishëm në betejën ligjore për shkeljet e dyshuara të rregullave financiare të Premier League.
Sipas David Koganit, kreut të Organit të Pavarur Rregullator të Futbollit (IFR), procedurat pritet të shqyrtohen nga mesi deri në fund të janarit. Ai ka bërë të ditur se synimi është që çështja të marrë një epilog brenda sezonit aktual.
Vendimi do t’i takojë një komisioni të pavarur, të përbërë nga tre ish-gjyqtarë ose avokatë. Kogan ka theksuar se përfundimi do të bazohet në prova, ndërsa ka paralajmëruar se do të japë dorëheqjen në rast të ndërhyrjeve politike në punën e organit rregullator.
Çështja lidhet me shkeljet financiare për periudhën 2009–2018, për të cilat Manchester City është përballur me procedura disiplinore. Klubi ka kundërshtuar akuzat dhe synon ta rrëzojë vendimin përmes apelit.
Në rast se sanksionet konfirmohen, pasojat mund të përfshijnë heqje pikësh, gjoba financiare apo masa të tjera disiplinore, varësisht nga vendimi përfundimtar.
Çështja ndaj klubit të drejtuar nga pronarët nga Emiratet e Bashkuara Arabe mbetet një nga procedurat më të rëndësishme disiplinore në futbollin anglez.
