Haki Bllacaku reagon pas tërheqjes së Rrahmanit nga Kombëtarja: “Nuk thonë kot, buka e jote të vret”
Haki Bllacaku, trajneri i parë i Amir Rrahmanit te KF Kosova e Prishtinës, ka reaguar ashpër pas vendimit të kapitenit të Kosovës për t’u tërhequr nga kombëtarja dardane.
Rrahmani ka bërë të ditur se nuk do të rikthehet te Kombëtarja përderisa Federata e Futbollit të Kosovës udhëhiqet nga drejtuesit aktualë.
Pas këtij vendimi, Bllacaku ka publikuar një fotografi nga koha kur Rrahmani kishte nisur hapat e parë në futboll te KF Kosova – Prishtinë, ku ai ishte trajneri i tij i parë.
Fotografinë e ka shoqëruar me një mesazh të ashpër:
“Nuk thonë kot: buka jote të vret! Ose më mirë me thënë: i ligu, kur bëhet dikushi, s’e njeh as familjen e vet, as ata që i bëjnë mirë. Dole i tillë, TURP!!!”, ka shkruar Bllacaku.
Reagimi i tij vjen në një kohë kur vendimi i Rrahmanit ka hapur debat të madh në opinionin sportiv kosovar, ndërsa fotografia e publikuar nga trajneri i tij i parë rikthen në vëmendje fillimet e kapitenit të Kosovës në futboll.
