Bayern Munich tentoi Barcolën, por çmimi i PSG-së ishte “i papërballueshëm”
Bayern Munich kishte tentuar konkretisht transferimin e Bradley Barcolës, por kostoja e lartë e operacionit e detyroi klubin bavarez të tërhiqej nga gara.
Drejtori sportiv i Bayernit, Max Eberl, zbuloi se interesi për sulmuesin francez nuk ishte i ri. Ai e kishte ndjekur Barcolën që nga koha kur punonte te RB Leipzig dhe kishte tentuar ta transferonte edhe atëherë.
“E njoh Bradley që nga koha kur punoja te Leipzig. Kisha provuar ta merrja edhe atje. Patëm disa biseda dhe krijuam një marrëdhënie të mirë. Interesi për të ka ekzistuar gjithmonë dhe, natyrisht, e vlerësuam edhe mundësinë për ta transferuar te Bayerni”, deklaroi Eberl.
Megjithatë, çmimi i kërkuar për 24-vjeçarin rezultoi shumë i lartë për klubin gjerman.
“Përballë atyre kostove, ai ishte thjesht shumë i shtrenjtë për ne”, pranoi Eberl.
Bayern më pas ndryshoi objektiv dhe investoi te Luis Diaz, transferim që Eberl e konsideron një vendim të goditur.
“Edhe për Luis Diazin bëmë një investim të rëndësishëm, por të një niveli tjetër. Për më tepër, është një lojtar që di të entuziazmojë tifozët dhe jemi jashtëzakonisht të kënaqur me paraqitjet e tij”, theksoi drejtori sportiv.
Barcola përfundimisht u largua nga PSG-ja për t’iu bashkuar Liverpoolit, në një transferim që raportohet të ketë arritur deri në 140 milionë euro, përfshirë bonuset, me kontratë pesëvjeçare.
Bayerni nuk arriti ta transferojë Barcolën, por duket se zgjedhja për Luis Diazin po i jep rezultatet e dëshiruara.
.
