September 2026
M T W T F S S
 123456
78910111213
14151617181920
21222324252627
282930  
September 8, 2026

Ibrahimovic “zhduket” nga skena e Milanit, por ka një mision të ri

Zlatan Ibrahimovic është gjithnjë e më pak i pranishëm në publik në ambientet e Milanit, por roli i legjendës suedeze në klub nuk është zhdukur.

Pas ndryshimeve të bëra gjatë verës, me Ruben Amorim në stolin e skuadrës dhe Massimo Clavelli në rolin e administratorit të deleguar, Ibrahimovic vazhdon të jetë pjesë e strukturave të klubit si këshilltar i “RedBird”. Suedezi bashkëpunon ngushtë me Gerry Cardinale, kryesisht në prapaskenë, ndërsa nuk ka rol operacional në vendimmarrjet sportive.

Ndryshe nga sezoni i kaluar, kur Ibrahimovic ishte një prej figurave më të ekspozuara të Milanit dhe shfaqej shpesh publikisht, tashmë prania e tij është shumë më e kufizuar. Roli i tij është përcaktuar më qartë dhe fokusi duket se është zhvendosur drejt biznesit.

Vetë Ibrahimovic ka treguar se kjo është një fazë e re në karrierën e tij.

“Jam në duar të mira. Cardinale më ka premtuar se do të më bëjë miliarder”, ka thënë me humor suedezi, duke shtuar se dëshiron të zhvillohet përtej futbollit.

“Është një fazë e re e karrierës sime. Dua të bëj hapin tjetër në karrierë, në aspektin e biznesit, dhe të mos kufizohem vetëm duke qenë një sportist profesionist. Dua të rritem në këtë botë”, ka deklaruar Ibrahimovic.

Edhe Gerry Cardinale ka bërë të qartë vizionin për ish-sulmuesin e Milanit, duke synuar ta shndërrojë “Zlatanin që të gjithë e shihnin në fushë në Zlatanin e botës së biznesit”.

Kështu, edhe pse Zlatan Ibrahimovic po shihet gjithnjë e më rrallë në skenën publike të Milanit, suedezi duket se po përgatitet për një tjetër kapitull të rëndësishëm të karrierës së tij – këtë herë jashtë fushës së futbollit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *