Manchester City transferon ylli brazilian për 34 milionë funte
Manchester City ka përmbyllur me sukses goditjen e radhës në tregun e futbollistëve. Kampionët e Anglisë kanë zyrtarizuar blerjen e anësorit brazilian, Allan, nga skuadra e Palmeiras.
Marrëveshja totale kap shifrën e 34 milionë funteve (32 milionë £ fikse plus 2 milionë £ të tjera në formë bonusesh). Talenti 22-vjeçar ka hedhur firmën në një kontratë 5-vjeçare, e cila do ta mbajë atë në “Etihad Stadium” të paktën deri në verën e vitit 2031.
Në fjalët e tij të para si futbollist i City-t, Allan nuk e ka fshehur entuziazmin për këtë hap të madh në karrierë:
“Ky është një moment i pabesueshëm për mua. Manchester City, me gjithçka që ka fituar gjatë 15 viteve të fundit, është një nga klubet më tërheqëse në botë për çdo lojtar. Të ulem këtu sot si pjesë e këtij ekipi është momenti më krenar i jetës sime”, u shpreh sulmuesi anësor.
Pavarësisht dashurisë për klubin e tij të zemrës në Brazil, Allan theksoi se projekti i City-t ishte i pamundur për t’u refuzuar:
“E dua Palmeiras dhe gjithmonë do ta dua, por vendimi për t’iu bashkuar City-t ishte i lehtë. Dua të arrij majat e futbollit dhe bisedat me drejtuesit më bindën se nuk ka vend më të mirë se ky për të përmbushur ambiciet e mia. U premtoj tifozëve se do të jap gjithçka nga vetja në fushë”, shtoi ai.
Me këtë transferim, City shton një tjetër armë të fuqishme dhe me perspektivë në fazën ofanzive për sezonet e ardhshme.
