Dukagjini pëson humbje minimale në Lugano

Dukagjini ka pësuar humbje minimale në udhëtimin te Lugano, në ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues të UEFA Conference League.

Klinasit u mposhtën 1:0 nga skuadra zvicerane, e cila golin e fitores e gjeti në minutën e 31-të përmes Renato Steffenit.

Lugano pati më shumë iniciativë dhe raste gjatë takimit, por Dukagjini mbeti në lojë deri në fund dhe ishte pranë golit të barazimit. Në minutën e 65-të, Jeudi Stevenson goditi shtyllën, ndërsa në fund Mërgim Pefqeli provoi të befasonte portierin vendas me një goditje të bukur nga distanca.

Skuadra e Arsim Thaçit e mbylli ndeshjen me një lojtar më pak, pasi Arvanit Rexhaj u përjashtua me karton të kuq në minutën e 87-të.

Pavarësisht disfatës, rezultati minimal lë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit, ku Dukagjini do të kërkojë përmbysjen dhe një vend në raundin e tretë të garës evropiane.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *