Luis de la Fuente rrëfen Botërorin spanjoll me detaje: A e ka arritur kulmin ky grup? Aspak, jemi shumë kërkues
Ai është tashmë një nga personazhet e vitit dhe ende jemi në muajin korrik. Luis de la Fuente (Haro, 21 qershor 1961) udhëhoqi një skuadër unike, duke i vendosur në gjoks kombëtares iberike yllin e dytë botëror dhe iu dhënë miliona spanjollëve një lumturi të jashtëzakonshme që do të zgjasë përgjithmonë. Trajneri i kombëtares vizitoi redaksinë e “MARCA” për të folur mbi emocionet e përjetuara gjatë ditëve të fundit.
Si po i përjetoni këto 96 orë si kampion bote?
Ndjej emocion dhe krenari. Ndjej dashurinë dhe lumturinë e një vendi të bashkuar për një kauzë të përbashkët. Kjo të bën të ndihesh shumë, shumë i realizuar dhe jashtëzakonisht i kënaqur.
Kjo kombëtare ka bërë për vete botën. A e ka arritur kulmin ky grup?
Aspak. Unë jam shumë kërkues, jam shumë konkurrues. Jam nga ata që mendojnë se gjithmonë mund të përmirësohemi. Ky është një parim që e kemi në çdo ditë pune, në çdo stërvitje dhe në çdo seancë. Gjithmonë duhet të bëjmë më mirë se dje. Ky grup kombinon lojtarë të rinj me veteranët, që kanë ende shumë për të dhënë. Besoj se ende nuk kemi parë versionin më të mirë të kësaj kombëtareje. Më e mira ende nuk ka ardhur.
Luis, çfarë ka të veçantë kjo skuadër dhe kjo gjeneratë?
Përpara talentit futbollistik, i cili është i padiskutueshëm dhe i njohur nga të gjithë, do të veçoja cilësinë njerëzore. Është një grup bujar dhe solidar. Mbaj mend disa nga bisedat që kemi pasur dhe ua kam thënë edhe pas disa ndeshjeve: jemi përballur me kombëtaret më të mira në botë, por ato janë përballur me ekipin më të mirë në botë. Në Europian u krijua fjala “familje” për të përshkruar këtë grup dhe ky është realiteti. Kjo na jep forcë të pandalshme.

Flisni për cilësi njerëzore dhe një grup modest. Çfarë peshe ka Lamine Yamal në këtë kombëtare?
Ne thamë se u përballëm me Portugalinë e Ronaldos, me Francën e Mbappé dhe do të luanim kundër Argjentinës së Messit…, por ata përballeshin me kombëtaren e 26 lojtarëve. Duke kujtuar atë frazë të famshme të 300 spartanëve…, ne jemi 26 spanjollët. Lamine është futbollist që ka kaluar një eksperiencë të jashtëzakonshme dhe ka pasur rendiment fantastik. Është pjekur shumë, ka punuar shumë për ekipin dhe ka ditur të vendosë të mirën e përgjithshme mbi atë personale. Është një futbollist i madh, shumë i ri, që ende është në proces formimi, por kjo do ta bëjë më të mirë në të ardhmen. Ai ka ndjekur një proces të planifikuar. Vinte nga një periudhë joaktive dhe ka bërë një punë të mrekullueshme.
Le të bëjmë një rrugëtim në Botërorin e Spanjës. Na jepni një ide për secilën ndeshje…
Kepi i Gjelbër na vendosi përballë realitetit të asaj që do të ishte gara, duke kuptuar vështirësinë dhe konceptin e Botërorit, i cili, e theksoj, nuk ka asgjë të përbashkët me Europianin. Arabia Saudite na konfirmoi se kur je i vetëdijshëm për vështirësitë, duhet të kesh qetësi dhe besim. Më pas, ndaj Uruguajit veçoj pjekurinë e grupit dhe faktin që nuk ramë në lojën e kundërshtarit. Patëm karakter dhe talent futbollistik. Në fazën e 1/16-ave ndaj Austrisë dhamë një tjetër shtysë, sepse forcuam atë që kishim arritur në ndeshjet e mëparshme.
Me Portugalinë e Cristiano Ronaldos e kisha thënë se mund të ishte një finale para finales. Ishte një nga favoritët dhe na kërkoi maksimumin. Në çerekfinale ndaj Belgjikës ndjeva se ishte një ndeshje kurth. Belgët ishin të shpejtë dhe shumë dinamikë. Edhe kur pësuam golin e parë në të gjithë Botërorin, ditëm t’i kontrollonim nervat.
Në gjysmëfinale erdhi Franca e Mbappé, favoritja absolute. Mendoj se kishte më shumë shqetësim në tribuna sesa brenda grupit tonë. Ne u sollëm si një ekip i vërtetë dhe nga fillimi deri në fund ndeshja ishte nën kontroll. Ishim një skuadër kolektive. Sjellja e secilit ishte e jashtëzakonshme, por si ekip ishte edhe më mirë dhe kjo është ajo që na bën më të fortë.
Me Argjentinën ishte “nëna” e të gjitha ndeshjeve. Kampionia në fuqi, një kombëtare me tri yje, largimi i Messit… Ishte ndeshja e ëndrrave. Fitorja ishte mbyllja e ciklit të gjithçkaje që kishim propozuar gjatë gjithë turneut. Analiza përfundimtare ishte se, në vija të përgjithshme, i gjithë Botërori shkoi sipas planit dhe vizionit që kishim përgatitur.

Nëse Spanja është më e mira në botë, a është Luis de la Fuente trajneri më i mirë në botë?
Gjithmonë kam thënë se kemi lojtarët më të mirë në botë, ekipin më të mirë në botë dhe grupin më të mirë pune në botë, i përbërë gjithashtu nga njerëzit më të mirë. Unë dua të jem një person i mirë, dikush që e shijon vërtet punën e tij dhe që puna i njihet, por mbi të gjitha më udhëheq pasioni që më shkakton kjo detyrë dhe ky është nderi im.
Gjatë ceremonisë së medaljeve patët një bisedë me Infantinon. Çfarë ju tha?
Gjithmonë them se bisedat private janë private, por në këtë rast mendoj se është interesante ta tregoj. Pse? Sepse tregon vlerën e lojtarëve tanë. Me Infantinon u takuam edhe në Lojërat Olimpike, ku fituam medaljen e argjendtë. Sjellja e lojtarëve ishte spektakolare. Vendosën medaljet, nuk i hoqën, shijuan ceremoninë finale. Kur mbaroi ceremonia, erdhi Infantino dhe më tha: Mister, lojtarët tuaj janë shembull!
Shumë prej atyre futbollistëve ishin edhe në këtë finale. Ditën tjetër ma kujtoi dhe më tha: “Ajo që të thashë në Lojërat Olimpike është ende e vlefshme sot. Çfarë shembulli në çdo aspekt: si grup njerëzor, në shoqëri, bujari, sakrificë dhe madhështi futbollistike”. Dhe kjo është krenari, krenaria më e madhe, përtej aspektit thjesht futbollistik.

Keni një marrëdhënie shumë të mirë me Scaloni. Si i pritët fjalët e tij duke ulur polemikat dhe pranuar se Spanja ishte më e mirë në finale?
Jemi miq shumë të mirë, kemi një marrëdhënie të shkëlqyer dhe ai është një zotëri. E di që në fund të ndeshjeve je shumë i emocionuar. U panë disa skena të pakëndshme dhe jam i sigurt se as atij nuk i pëlqyen. Mendoj se kjo është madhështia e sportit; përballja është vetëm gjatë ndeshjes. Në zjarrin e betejës nuk ka miq, por më pas, kur gjithçka përfundon, rikthehesh në normalitet dhe kupton se nuk ka asgjë më të rëndësishme se një miqësi e mirë.
Sa herë keni ëndërruar ta ngrini këtë kupë?
Është shumë e vështirë. Asnjëherë nuk kam ëndërruar të drejtoja kombëtaren A. Unë thjesht përmbushja etapat e mia kur isha tek ekipet e moshave dhe isha i lumtur. Gjithmonë kam qenë i lumtur aty ku kam qenë. Asnjëherë nuk kam menduar të arrij majën. Tani të gjithë po mendojnë për këtë Botëror, por unë tashmë po mendoj për ndeshjet e shtatorit.
Në cilin moment e ndjetë veten kampion?
Gjatë finales pamë se ndeshja ishte plotësisht nën kontroll. Ishim shumë superiorë, por na mungonte finalizimi. Pati dhe një gol të anuluar padrejtësisht, diferenca që e madhe. Vuajtëm deri në vërshëllimën finale, sepse argjentinasit do të kishin mundësitë e tyre. E denim, ky është futbolli. Deri në fund tensioni mbetet, por tani kupa është me ne.
Në fund, çfarë mesazhi iu dërgoni miliona spanjollëve që e kanë mbështetur kombëtaren këto ditë dhe gjatë gjithë Botërorit?
Vetëm faleminderit, Spanjë, vërtet. Ju kemi ndjerë shumë pranë. Ai entuziazëm, ai impuls, ajo mbështetje…, kanë qenë kyçe që ky grup pune të arrinte diçka kaq të rëndësishme, që është e të gjithëve. Ky është sukses i një vendi të tërë të bashkuar, po e përsëris, me një objektiv të përbashkët. Prandaj them vazhdimisht se së bashku jemi më të fortë. Le ta shfrytëzojmë këtë energji që çdo ditë të bëhemi pak më të mirë dhe të ndërtojmë edhe një vend më të mirë./Telesport/
