Veldin Hoxha: Duhet të përmirësohemi dhe të japim maksimumin ndaj Andorrës
Kombëtarja e Kosovës ka vazhduar sot përgatitjet për ndeshjen e radhës miqësore, teksa futbollistët dhe stafi teknik kanë analizuar paraqitjen në sfidën kundër Republikës së Çekisë.
Pas stërvitjes, mesfushori Veldin Hoxha theksoi se ekipi ka nxjerrë mësime nga ndeshja e fundit dhe se tashmë fokusi është te përballja e radhës kundër Andorrës.
“E kemi bërë analizën e ndeshjes kundër Çekisë. Kemi pasur momente të mira, por gjithashtu kemi pasur edhe momente jo të mira. Kemi identifikuar aspektet se çfarë duhet të bëjmë më mirë dhe në ndeshjen e radhës do të bëjmë gjithçka për të luajtur më mirë dhe për ta fituar ndeshjen”, ka thënë Hoxha.
Ai nënvizoi se Andorra nuk duhet nënvlerësuar, pavarësisht se në letër mund të duket kundërshtar dukshëm më i lehtë se Çekia.
“Andorra mund të duket si kundërshtar më i lehtë në krahasim me Çekinë, por nuk është ashtu. Ne do të përgatitemi maksimalisht dhe do të bëjmë çdo gjë për ta fituar këtë ndeshje”, shtoi ai.
“Dardanët” do të vazhdojnë përgatitjet me përkushtim të lartë, me synimin për të bërë paraqitje sa më të mirë dhe për të arritur rezultat pozitiv në ndeshjen e ardhshme.
