Drenica befason Dritën në Skenderaj, largohet nga zona e rënies
Drenica ka shënuar një fitore shumë të rëndësishme në AlbiMall Superligën e Kosovës, duke e mposhtur kampionen në fuqi, Dritën, me rezultat minimal 1:0 në ndeshjen e xhiros së 29-të, të zhvilluar të dielën në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.
Goli i vetëm i takimit u realizua në minutën e 40-të nga sulmuesi Ronaldo, i cili shënoi një supergol që në fund doli të jetë vendimtar për tri pikët e skuadrës vendase.
Me këtë fitore, Drenica arrin të largohet përkohësisht nga zona e rënies, duke u ngjitur në vendin e shtatë me 35 pikë. Në anën tjetër, Drita mbetet në krye të tabelës me 54 pikë, pesë më shumë se Ballkani, që gjithashtu pësoi humbje në këtë xhiro.
Sfida u karakterizua edhe me një moment të vështirë në pjesën e dytë, kur mbrojtësi i Dritës, Egzon Bejtullai, u detyrua të largohet nga loja pas një përplasjeje në kokë. Ai mori ndihmën e parë në fushë dhe më pas u transportua me autoambulancë nga stadiumi. Sipas raportimeve të para, gjendja e tij është stabile.
Ndeshja rifilloi pas ndërprerjes së përkohshme, ndërsa Drenica arriti të ruajë epërsinë deri në fund, duke marrë një fitore me peshë të madhe në garën për mbijetesë.
