Drenica rikthehet te fitorja, ndal Gjilanin dhe ngjitet në tabelë
Drenica i është rikthyer fitores në Superligën e Kosovës pas një periudhe të gjatë pa triumf, duke e mposhtur Gjilanin me rezultat minimal 1:0 në kuadër të xhiros së 24-t.
Ndeshja u zhvillua në fushën me bar sintetik në Gjilan, ndërsa goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e 22-të. Kreshnik Uka realizoi nga pika e bardhë, pasi gjyqtari Alban Shala akordoi penallti pas ndërhyrjes së Sabit Bilalit ndaj Igball Jasharit në zonë. Vendimi u konfirmua edhe pas rishikimit në VAR.
Drenica arriti të shënojë sërish në minutën e 67-të me Igball Jasharin, por goli u anulua pasi gjatë ndërtimit të aksionit u konstatua prekje me dorë pas rishikimit në VAR.
Për skuadrën nga Skenderaj kjo ishte fitorja e parë që nga 13 dhjetori i vitit të kaluar, duke i dhënë fund serisë prej gjashtë ndeshjesh pa fitore, në të cilat kishte dy barazime dhe katër humbje.
Nga ana tjetër, Gjilani pësoi humbjen e parë në Superligë që nga 8 shkurti, duke i dhënë fund një serie prej tri fitoreve radhazi.
Pas kësaj fitoreje, Drenica ngjitet në vendin e nëntë me 25 pikë. Ferizaj është i teti me 24 pikë, në pozitën që çon në barazh, ndërsa Prishtina e Re mbetet e fundit me 23 pikë. Gjilani renditet në vendin e pestë me 36 pikë.
