June 15, 2026

Ferizaj fiton në fund ndaj Malishevës dhe merr tri pikë të arta për mbijetesë

Ferizaj ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në garën për mbijetesë në Superligën e Kosovës, duke e mposhtur Malishevën me rezultat 2:1 në udhëtim, në kuadër të xhiros së 24-t.

Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Liman Gegaj” në Malishevë, ndërsa goli vendimtar u shënua në minutën e dytë të kohës shtesë. Ruben Silva realizoi për 2:1 në minutën e 92-të, duke ia siguruar Ferizajt tri pikë shumë të vlefshme.

Malisheva kaloi e para në epërsi në minutën e 12-të me golin e Mevlan Zekës nga penalltia. Gjyqtari Mervan Bejtullahu akordoi penalltinë pas rishikimit të situatës në VAR, ku u konstatua prekje me dorë e Ade Ogunsit në zonë.

Edhe goli i barazimit për Ferizajn erdhi nga pika e bardhë. Në minutën e 35-të, Ade Oguns u tregua i saktë nga penalltia për rezultatin 1:1, duke shlyer gabimin e bërë në golin e parë të Malishevës.

Kur ndeshja po shkonte drejt barazimit, Ferizaj arriti ta gjejë golin e fitores në kohën shtesë me Ruben Silvan, që realizoi në minutën e 92-të.

Pas kësaj fitoreje, Ferizaj ngjitet në vendin e tetë, që dërgon në barazh, me 26 pikë. Drenica është e nënta me 25 pikë, ndërsa Prishtina e Re mbetet e fundit me 23 pikë.

Në anën tjetër, Malisheva mbetet në vendin e katërt me 37 pikë, një më pak se Prishtina që renditet e treta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *