Carrick pas humbjes së parë: Jemi të zhgënjyer

Trajneri i Manchester United, Michael Carrick, është shprehur i zhgënjyer pas humbjes 2:1 ndaj Newcastle United në kuadër të Premier League, duke e cilësuar këtë si një disfatë të dhimbshme për skuadrën e tij.

Kjo ishte humbja e parë për Carrick në krye të “Djajve të Kuq”, që nga marrja e drejtimit të ekipit në Old Trafford.

“Jemi shumë të zhgënjyer nga kjo humbje. Erdhëm në Newcastle në formë të mirë dhe me synimin për të marrë diçka nga kjo ndeshje, por mënyra se si u zhvillua loja ishte shumë zhgënjyese. Nuk ka justifikime”, tha Carrick pas ndeshjes.

Ai theksoi se skuadra kishte qenë në një moment pozitiv në renditje falë rezultateve të fundit, prandaj kjo disfatë është edhe më e vështirë për t’u pranuar.

“E kemi vendosur veten në një pozicion të mirë në renditje me performancat dhe rezultatet që kemi pasur. Për këtë arsye kjo humbje të dhemb. Nuk jemi të kënaqur me mënyrën se si luajtëm”, shtoi ai.

Carrick u ndal edhe te fakti se skuadra e tij kishte avantazhin numerik në pjesën e dytë, por nuk arriti ta shfrytëzojë atë.

“Ishte një mundësi e mirë për ne dhe duhej ta shfrytëzonim më mirë. Merita i takon Newcastle për mënyrën si luajti. Ne nuk e menaxhuam mirë ndeshjen dhe nuk ishim në nivelin që kërkohej”, deklaroi trajneri i United.

Në fund, Carrick theksoi se përgjegjësia për këtë humbje i takon gjithë skuadrës.

“Nuk mund të gjejmë justifikime. Të gjithë marrim përgjegjësi për këtë dhe e dimë se duhet të bëjmë më mirë në ndeshjet e ardhshme”, përfundoi ai

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *