Milani i shpëton humbjes në frymën e fundit
Futbollistët e Milanit kanë vazhduar serinë e rezultateve zhgënjyese në Serie A, duke nxjerrë me shumë vështirësi një barazim 1-1 në udhëtimin e sotëm ndaj Fiorentinës, ndeshje e vlefshme për javën e 20-të.
Pjesa e parë foli pothuajse tërësisht për “Kuqezinjtë”, por portieri veteran David De Gea ishte i pakalueshëm. Christian Pulisic kishte rastin e parë të artë në minutën e 11-të, ndërsa shtatë minuta më vonë, amerikani dështoi sërish përballë portierit spanjoll edhe pasi e kishte mposhtur atë në lëvizje.
Beteja mes Pulisic dhe De Geas vazhdoi deri në fund të pjesës së parë, ku portieri i “Violës” doli fitues në çdo rast. Tensioni u rrit në minutat shtesë të pjesës së parë, kur trajneri i Fiorentinës, Paolo Vanoli, u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë ekipin e tij pa udhëzime direkte nga stoli për pjesën e dytë.
Pjesa e dytë nisi më mirë për vendasit. Pas disa tentativave nga Mandragora dhe Dodo, Fiorentina e gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 66-të. I riu Pietro Comuzzo kërceu më lart se të gjithë pas një krosimi, duke goditur topin sa për ta dërguar në rrjetën e Maignan, i ndihmuar edhe nga një përgjumje totale e mbrojtjes milaniste.
Kur dukej se të tri pikët do të mbeteshin në Firence, në skenë doli Christopher Nkunku. Në minutën e 90-të, pas një asisiti nga Fofana, francezi realizoi një gol mjaft të bukur për të baraspeshuar shifrat në 1-1.
Fundi i ndeshjes ishte dramatik, pasi Fiorentina për pak sa nuk e ktheu sërish avantazhin. Brescianini goditi shtyllën transversale, ndërsa në sulmin pasardhës Moise Kean nuk arriti të mposhtte portierin Mike Maignan.
