Agim Ademi nderon një tjetër ikonë të futbollit të Kosovës

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka qëndruar sot në Pejë, ku ka takuar njërin prej futbollistëve më të shquar të historisë sonë, Fisnik Ademin. Kreu i FFK-së në këtë takim ishte i shoqëruar edhe nga futbollistë tjerë të gjeneratës së artë, derisa vlerësoi lart karrierën dhe kontributin e Fisnik Ademit për futbollin e Kosovës, veçmas kohën e tij te KF “Trepça”.

Postimi i plotë i presidentit të FFK-së:

Sot bashkë me futbollistë të gjeneratës së artë qëndruam në Pejë, një nga qytetet më pitoreske të Kosovës dhe vatër e rëndësishme e talenteve të futbollit, për një takim domethënës me njërin prej futbollistëve më të shquar që ka pasur vendi ynë, Fisnik Ademin. Ai i përket gjeneratës së artë të futbollit kosovar. Në kohën kur luante, talenti, inteligjenca në lojë dhe niveli i lartë profesional e bënin atë një idhull për të rinjtë, derisa pa dyshim se për nivelin e lojës mund të krahasohet me emra të mëdhenj të futbollit botëror si Zidane, Ronaldo, Messi, Iniesta e të tjerë. Ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në KF Trepça, si një mesfushor jashtëzakonisht inteligjent, kapiten, lider dhe unifikues në fushë, i cili gjithmonë ka ditur çfarë duhet bërë me topin. Kontributi i tij nuk ka qenë vetëm sportiv. Fisnik Ademi ka luajtur rol kyç në inkurajimin e futbollistëve të rinj nga trevat shqiptare që t’i bashkohen KF Trepça, në një kohë kur klubi kishte vetëm dy futbollistë shqiptarë, duke ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin dhe konsolidimin e futbollit vendor. Në shenjë vlerësimi për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, atij ia dhurova fanellën e Kombëtares së Kosovës, të cilën do ta meritonte plotësisht në kohën e tij, por e meriton edhe tani për gjithçka ka dhënë për futbollin dhe për respektin e madh që gëzon jo vetëm në Pejë, por në mbarë Kosovën. Po ashtu, iu dhurova edhe topin zyrtar të Superligës, si simbolikë të lidhjes së tij të veçantë me lojën dhe mjeshtërinë që e ka karakterizuar gjithmonë në fushën e gjelbër. Fisnik Ademi vlerësohet me të drejtë si një nga futbollistët më të mirë të kohës në Kosovë dhe si të tillë do ta respektojmë gjithnjë. Ai shprehu vlerësim për punën e bërë nga FFK dhe për rezultatet e arritura nga Kombëtarja e Kosovës, duke theksuar se për të dhe për të gjithë gjeneratën e artë, këto suksese përbëjnë një satisfaksion të madh. Njëkohësisht, ai shprehu kënaqësinë që Kosova sot është ngritur në nivele të larta të zhvillimit dhe po na përfaqëson kudo me krenari e dinjitet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *