Ademi e Thaçi diskutojnë për projektet e futbollit në Obiliq
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka pritur sot në takim kryetarin e ri të Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi.
Në një postim në rrjetet sociale, Ademi tha se diskutimi u fokusua veçanërisht te Kampi i të Rinjve në Obiliq, një projekt i realizuar nga FFK dhe i vlerësuar si një shtyllë e rëndësishme për edukimin sportiv të brezit të ri.
“Zhvilluam një diskutim të detajuar dhe konstruktiv lidhur me Kampin e të Rinjve në Obiliq, projekt i realizuar nga Federata e Futbollit e Kosovës, që përfaqëson një investim të rëndësishëm në zhvillimin e futbollit, veçanërisht për grupmoshat e reja”, theksoi Ademi.
Gjatë takimit janë trajtuar edhe projekte të tjera zhvillimore të planifikuara në Obiliq, përfshirë: Përmirësimin e infrastrukturës sportive; Krijimin e kushteve më të mira për të rinjtë; Rritjen e pjesëmarrjes në futboll e aktivitete sportive.
Presidenti i FFK-së bëri të qartë se ky bashkëpunim nuk do të jetë afatshkurtër.
“Shprehëm gatishmërinë e ndërsjellë për bashkëpunim institucional dhe koordinim të vazhdueshëm, në funksion të avancimit të futbollit në Komunën e Obiliqit”, u shpreh ai, duke shtuar se projektet për të rinjtë dhe strukturat sportive lokale do të mbështeten edhe më tej.
