Ibrahimovic: Ronaldo Fenomeni është më i madhi i të gjitha kohëve
Është prej temave që ndan tifozët, për shkak se futbolli ka ndryshuar shumë dhe kujtesa shpesh i ngatërron kohët. Kush është futbollisti më i mirë i të gjitha kohëve?
Zlatan Ibrahimovic nuk e ka aspak të vështirë: “Për mua, Ronaldo – Fenomeni – ka qenë dhe mbetet më i miri në histori.”
“Ka pasur plot futbollistë të jashtëzakonshëm, por për mua ai është numri një. Atëherë nuk kishte Instagram apo YouTube. Shkoja në bibliotekë, kërkoja video, fshihesha për t’i parë driblimet e tij dhe lëvizjet e çmendura. Doja t’i mësoja triket e tij. Në një farë mënyre e ndërtoja stilin tim duke u frymëzuar nga Muhammad Ali dhe Ronaldo”, – ka rrëfyer suedezi si i ftuar special në një program televiziv.
Zlatani zbulon edhe burimin tjetër të frymëzimit: Muhammad Ali.
“E shikoja Aliun në televizor. Në atë kohë ekrani ishte bardh e zi. Vëzhgoja si fliste, si sillej. Nuk ishte arrogant. Që fëmijë kërkova të zbuloja kush ishte ai, dhe menjëherë mendova: dua të jem si ai, por në futboll. Më pas fillova të shikoja ndeshje dhe aty e pashë Ronaldon për herë të parë”.
