Juventusi bindës ndaj Sassuolos, Zhegrova luan vetëm në minutat shtesë
Juventusi mori një fitore bindëse në udhëtim ndaj Sassuolos, duke triumfuar 3-0 në xhiron e 19-të të Serie A dhe duke treguar se forma e mirë nuk është rastësi. Skuadra e Luciano Spallettit reagoi me forcë pas hapit fals në ndeshjen e kaluar kundër Lecce-s dhe në Reggio Emilia siguroi tre pikë të rëndësishme në garën për kreun e tabelës.
Që nga minuta e parë “Zonja e Vjetër” vendosi një ritëm të lartë dhe krijoi mundësi të shumta shënimi. Kenan Yildiz dhe Andrea Cambiaso u afruan pranë golit, por portieri i Kombëtares së Kosovës, Arijanet Muriq, bëri disa pritje vendimtare duke e mbajtur në lojë Sassuolon. Megjithatë, në minutën e 16-të, pas një harkimi të Kalulu, mbrojtësi Tariq Muharemović e devijoi topin në rrjetën e vet për 0-1.
Muriq vazhdoi të shkëlqente me pritje të tjera mbi dy rastet e Yildizit, por në pjesën e dytë rrebeshi i Juves u bë i pakontrollueshëm. Në minutën e 62-të, Fabio Miretti finalizoi bukur pas një pasimi të Jonathan David, ndërsa pak më vonë vetë David shënoi për 3-0, pasi shmangu Muriqin dhe vulosi rezultatin.
Edhe pse pësoi tre gola, Muriqi ishte ndër më të mirët e Sassuolos, duke evituar humbje edhe më të thellë me pritje të shumta.
Sa për kosovarin tjetër, Edon Zhegrova, Spalletti vendosi ta aktivizojë vetëm në minutën e 90-të, pa pasur mundësi reale të ndikojë në lojë.
Me këtë fitore, Juventusi ngjitet në vendin e katërt me 36 pikë, ndërsa Sassuolo mbetet në pozitën e 11-të me 23 pikë.
