Ademi: Diaspora, një ndër asetet tona më rëndësishme
Në një intervistë për Radio Kosovën, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, foli për rëndësinë e diasporës dhe mërgimtarëve në zhvillimin e kombëtares, duke e cilësuar këtë si një nga asetet më të rëndësishme. Ai vlerësoi se angazhimi i trajnerit Foda dhe strategjia e FFK-së kanë krijuar një sinkron të jashtëzakonshëm brenda ekipit.
“Realisht këtu është edhe fati, por gjithsesi trimat i përcjellë fati. Mirëpo, faktikisht në këtë rast, na kemi punuar me një strategji tonën se çka na dëshirojmë dhe qysh duam të ecim. Ja kemi ofruar Fodës dhe ai e ka përqafuar këtë strategji që kemi pas, duke pas parasysh, normalisht edhe kërkesat e tij të cilat i kemi inkorporuar aty ku është dashur. Sa i përket ardhjes së lojtarëve të rinj, unë këta më shumë ia lë si kontribut njerëzve tonë që janë nëpër vendet e ndryshme të botës, krejt ku ka shqiptarë, por edhe trajnerëve dhe njerëzëve këtu që janë, sepse kemi futbollistë edhe nga liga jonë. Gjithsesi unë diasporën e konsideroj si një ndër asetet më të rëndësishme të federatës, për vetë faktin që këta njerëz i kanë lindë fëmijët atje dhe i kanë rritë me idenë patriotike dhe ia kanë futë Kosovën në kokë. Kjo është një gjë që nuk ndodhë në botë te asnjë popull, sepse normalisht, shumica e futbollistëve që luajnë të ne, vendlindjen e kanë prej shtetit nga vijnë”, ka thënë Ademi.
Ai ka falënderuar mërgimtarët që ndonëse fëmijët e tyre nuk e kanë Kosovën vendlindje, kanë bërë që ata ta duan atë si vendlindjen e tyre.
“Prindërit e tyre e kanë vendlindjen këtu dhe dojnë me çdo kush me ndihmu Kosovën dhe në çdo periudhë i kanë ndimuar Kosovës. Kur ka qenë nevoja me mjete financiare e kanë bërë me mjete, kur ka qenë nevoja luftës me vetë flijimin e tyre në luftë, tani kur është nevoja e sportit, me fëmijët e tyre në sport. Nuk ka gjë më bukur, kur ke një potencial të tillë. Nuk kam dëgjuar sllogan më të bukur ka kohë sesa të Albian Hajdarit, i cili thotë se ‘ndoshta Kosova është e vogël, por për mua është krejt bota’”, ka nënvizuar Ademi, sipas të cilit kjo dëshmon dashurinë e madhe që mërgimtarët dhe fëmijët e tyre kanë për Kosovën.
