Ancelotti paralajmëron: Në Botëror shkon vetëm kush është 100%, vlen për Neymarin, por edhe për Vinicius
Carlo Ancelotti ka dhënë një mesazh të prerë në një intervistë për “Esporte Record” lidhur me përzgjedhjet e tij për Botërorin 2026. Trajneri i Brazilit theksoi se askush nuk ka vend të sigurt në Kombëtare dhe se në listë do të jenë vetëm lojtarët në formë të plotë fizike e sportive.
“Për të shkuar në Botëror duhet të jesh 100%. Kemi shumë lojtarë të fortë dhe do të zgjedh ata që janë në gjendjen më të mirë. Nuk ka të bëjë vetëm me Neymarin, por edhe me Viniciusin. Nëse ai është 90%, do të thërris tjetërkënd që është 100%, sepse konkurrenca në sulm është shumë e madhe”, u shpreh Ancelotti.
Që prej marrjes së drejtimit të “Seleçãos” këtë verë, ai nuk e ka grumbulluar Neymarin, i cili u largua nga skuadra pas dëmtimit të rëndë kundër Uruguajit në tetor 2023. Sidoqoftë, Ancelotti e vlerësoi lart yllin brazilian: “Talenti i tij është i padiskutueshëm dhe ai nis i barabartë me të tjerët”.
Nga ana tjetër, Vinicius Junior ka folur me entuziazëm për ndryshimet në ekip që kur italiani mori drejtimin:
“Me Ancelottin po ndërtojmë një identitet të ri loje… Mundësia jonë ka ardhur”.
