Ademi me telegram ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Fuat Kryeziut
Federata e Futbollit e Kosovës ka shprehur ngushëllime të thella për familjen Kryeziu pas ndarjes nga jeta në moshën 90-vjeçare të Fuat Kryeziut, njërit ndër figurat më të respektuara të futbollit pejan.
Në telegramin e ngushëllimit, presidenti i FFK-së, Agim Ademi, në emër të vet, Komitetit Ekzekutiv, klubeve dhe gjithë komunitetit të futbollit, ka theksuar kontributin e jashtëzakonshëm që Fuat Kryeziu ka dhënë për zhvillimin e sportit kosovar.
“Fuat Kryeziu do të kujtohet gjithmonë si një prej figurave më të respektuara të futbollit kosovar, që i ka shërbyer me përkushtim, ndershmëri dhe dashuri të madhe sportit tonë” thuhet në telegram.
Telegrami i plotë:
E nderuara Familje Kryeziu,
Me dhimbje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të më të dashurit tuaj, Fuat Kryeziu, ndaj më lejoni që në emrin tim personal, të Komitetit Ekzekutiv të Federatës së Futbollit të Kosovës, të klubeve dhe të gjithë komunitetit të futbollit kosovar, t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe më të thella. Fuat Kryeziu do të kujtohet gjithmonë si një prej figurave më të respektuara të futbollit kosovar, që i ka shërbyer me përkushtim, ndershmëri dhe dashuri të madhe sportit tonë. Si ish-kryetar i parë i KF Besa nga Peja në kohën e shkëputjes nga sistemi i ish-shtetit federativ, ai dha kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin dhe afirmimin e klubit dhe futbollit pejan në përgjithësi. Fuat Kryeziu ishte gjithashtu një ndër anëtarët themelues të ligës së pavarur të futbollit të Kosovës në vitet e 90-ta, në kohën më të vështirë për sportin dhe vendin tonë, kur futbolli u shkëput përfundimisht nga sistemi i ish-shtetit federativ. Me guxim, përkushtim dhe vizion, ai kontribuoi në ruajtjen e identitetit sportiv të Kosovës dhe në mbajtjen gjallë të frymës së shtetndërtimit edhe përmes futbollit. Si gjyqtar i njohur në ish-federatë, Fuat Kryeziu u dallua për profesionalizëm, korrektësi dhe respektin që gëzonte kudo në fushat e gjykimit. Përtej sportit, ai ishte një njeri i urtë, modest dhe i dashur për të gjithë, i njohur me dashuri si “Baca Fat”, figurë e çmuar për qytetin e Pejës dhe për mbarë komunitetin sportiv të Kosovës. Në këto momente të rënda, Federata e Futbollit e Kosovës ndan dhimbjen me ju dhe me gjithë të afërmit e miqtë e shumtë të Bacës Fat, duke kujtuar me nder e respekt jetën, veprën dhe kontributin e tij në futbollin dhe shoqërinë tonë. I përjetshëm qoftë kujtimi për Fuat Kryeziun! Me respekt të veçantë, Agim Ademi President i Federatës së Futbollit të Kosovës
