February 2026
M T W T F S S
 1
2345678
9101112131415
16171819202122
232425262728  
February 14, 2026

Foda: Na presin dy ndeshje shumë të rëndësishme, ekipi është gati dhe me moral të lartë

Kombëtarja e Kosovës ka nisur sot grumbullimin në Prishtinë për dy ndeshjet e radhës në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026, ku “Dardanët” do të përballen me Slloveninë dhe Suedinë.

Në ditën e parë të grumbullimit, përzgjedhësi Franco Foda doli para mediave, duke folur për atmosferën në skuadër, përgatitjet dhe objektivat për këto dy sfida vendimtare.

“Kemi përpara dy ndeshje shumë të rëndësishme. Sllovenia është një kundërshtar i fortë dhe i disiplinuar, me lojtarë që luajnë në nivele të larta, por ne do të jemi në shtëpi dhe do të bëjmë maksimumin për ta fituar ndeshjen”, tha Foda.

Trajneri gjerman shtoi se është i kënaqur me formën që shumica e lojtarëve po tregojnë në klubet e tyre, teksa theksoi se grupi është i motivuar dhe me moral të lartë.

“Kemi lojtarë që po luajnë rregullisht dhe po tregojnë formë të mirë. Kjo na jep besim për ndeshjet që vijnë. Atmosfera është shumë pozitive dhe të gjithë janë të fokusuar për të dhënë maksimumin”, u shpreh përzgjedhësi i Kosovës.

Në fund, trajneri Foda e bëri të qartë se ekipi është plotësisht i fokusuar te përballjet e tetorit dhe se fitoret e kaluara duhet të shërbejnë vetëm si motivim, jo si garanci.

“Futbolli nuk luhet në të kaluarën, por në të ardhmen. Fitorja ndaj Suedisë na dha tri pikë të rëndësishme, por tani duhet të fokusohemi në atë që vjen. Pres nga lojtarët të japin maksimumin kundër Sllovenisë dhe Suedisë, të luajnë me zemër dhe me unitet. Vetëm kështu mund të arrijmë rezultate të mëdha dhe të mbajmë gjallë ëndrrën për Botërorin 2026”, përfundoi strategu gjerman.

Kosova do të përballet me Slloveninë më 10 tetor në ‘Fadil Vokrri’, ndërsa katër ditë më vonë udhëton në Suedi, ku do të zhvillojë ndeshjen e dytë të këtij cikli kualifikues.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *