April 2026
M T W T F S S
 12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
27282930  
April 19, 2026

Shkëndija eliminon FCSB-në dhe siguron kualifikimin historik në raundin e tretë të Ligës së Kampionëve

Shkëndija e Tetovës ka arritur një sukses historik në arenën evropiane, duke u kualifikuar për në raundin e tretë të kualifikimeve të Ligës së Kampionëve, pas fitores edhe në ndeshjen e kthimit ndaj FCSB-së së Rumanisë.

Ndeshja e zhvilluar të martën mbrëma në stadiumin “Arena Nationala” të Bukureshtit përfundoi me rezultat 2:1 në favor të Shkëndijës, që me rezultat të përgjithshëm 3:1 siguroi kalimin tutje.

Skuadra vendase e nisi më mirë ndeshjen, duke kaluar në epërsi në minutën e 28-të. Mesfushori italian Juri Cisotti realizoi pas një asistimi të saktë nga Daniel Birligea, duke përfituar nga një aksion i mirë në krahun e majtë.

Reagimi i Shkëndijës erdhi shpejt. Vetëm pesë minuta më vonë, pas një rrëmuje në zonë, topi u kthye te Liridon Latifi, i cili shënoi nga afërsia për të barazuar rezultatin në 1:1. Ky ishte një gol me peshë për skuadrën shqiptare nga Maqedonia e Veriut, që rriti qetësinë dhe kontrollin e lojës në vazhdim.

Në pjesën e dytë, vendasit tentuan të rikthejnë epërsinë, por pa sukses konkret. Ndërkaq, në minutën e 87-të, Vane Krstevski, i futur në lojë si zëvendësues, shënoi një gol vendimtar. Ai goditi nga jashtë zonës, me një parabolë që u devijua lehtë dhe përfundoi në rrjetë, duke vulosur fitoren e dytë të Shkëndijës në dy ndeshjet kundër një rivali të njohur evropian.

Me këtë fitore, Shkëndija jo vetëm që vazhdon garën në Ligën e Kampionëve, por edhe siguron minimalisht pjesëmarrjen në grupet e Ligës së Konferencës për edicionin 2024/25, në rast se eliminohet në fazat në vijim.

Në raundin e tretë, Shkëndija do të përballet me Qarabag-un e Azerbajxhanit, një skuadër me përvojë të madhe në garat evropiane. Fituesi i këtij çifti do të kalojë në “play-off”-in për fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, ndërsa humbësi do të ketë edhe një mundësi tjetër përmes Europa League.

Në anën tjetër, FCSB do të vazhdojë garat në Europa League, ku do të ketë përballje interesante me kampionin e Kosovës, Dritën nga Gjilani, që gjithashtu u eliminua në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve.

Kualifikimi i Shkëndijës është i pari për një klub nga Maqedonia e Veriut në fazat e grupeve të një gare të UEFA-s që nga viti 2017, kur këtë e kishte arritur Vardari në Europa League

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *