Përfundon grumbullimi treditor i Kombëtares U17 të vajzave

Ka përfunduar grumbullimi treditor i Kombëtares U17 të Kosovës në konkurrencën e vajzave, i cili u mbajt në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali. Ky grumbullim ishte i pari për vajzat e gjeneratës 2009/2010, në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Evropian që do të zhvillohen në tetor.

Gjatë tri ditëve të punës intensive, stafi teknik në krye me Sanije Krasniqin pati mundësinë të vlerësojë nga afër potencialin dhe cilësitë e futbollisteve të kësaj grupmoshe, përfshirë edhe 11 lojtare nga diaspora që erdhën nga vende si Zvicra, Gjermania, Suedia dhe Danimarka. Synimi kryesor i këtij kampi ishte krijimi i një baze sa më të gjerë lojtareve, rritja e kohezionit në grup dhe afrimi i vajzave të reja me ambientin dhe kërkesat e kombëtares.

Në ditën e fundit të grumbullimit u zhvillua edhe një ndeshje kontrolluese, ku futbollistet e grumbulluara u ndanë në dy ekipe, me qëllim të vlerësimit të performancës individuale dhe kolektive në kushte loje. Kjo ndeshje shërbeu si test për të parë nga afër gatishmërinë teknike, fizike dhe taktike të secilës lojtare, si dhe për të ndihmuar stafin teknik në përzgjedhjen e mëtejme për fazat vijuese.

Grumbullimi i ardhshëm i kësaj kombëtareje është planifikuar në fund të muajit gusht, ku parashihet të zhvillohet edhe një ndeshje miqësore si pjesë e përgatitjeve finale për sfidat që e presin Kosovën në kualifikimet e Ligës B, përballë Uellsit, Moldavisë dhe Azerbajxhanit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *