Derbi mes Prishtinës dhe Llapit mbyllet pa fitues e pa gola

Derbi i javës së 22-të në AlbiMall Superligën e Kosovës mes Prishtinës dhe Llapit nuk ka prodhuar fitues, duke përfunduar me barazim pa gola (0:0), në ndeshjen e zhvilluar të hënën në mbrëmje në stadiumin “Fadil Vokrri”. Bardhekaltrit e kryeqytetit ishin skuadra më kërkuese gjatë gjithë takimit, duke krijuar disa raste të mira shënimi, por gardiani kroat i Llapit, Marijan Çoriq, ishte në formë të jashtëzakonshme, duke bërë disa pritje vendimtare. Edhe Llapi pati disa mundësi për të gjetur golin, por pa arritur ta thyejë mbrojtjen e Prishtinës. Ky rezultat nuk i shkon për shtati asnjërës skuadër në garën për objektivat sezonale. Prishtina mbetet në pozitën e pestë me 30 pikë, duke bërë një hap prapa në garën për vendet evropiane, ndërsa Llapi vazhdon të mbetet në pozitën e parafundit me 23 pikë.