Ademi për Fodën: Rezultatet po e dëshmojnë punën e tij

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi e ka vlerësuar tejet pozitive punën e trajnerit gjerman, Franco Foda në Kombëtaren e Kosovës. Ai ka thënë se janë rezultatet që dëshmojnë cilësitë e këtij trajneri, teksa ka thënë se edhe vlerësimi që i bëjnë lojtarët është i rëndësishëm.
“Sa i përket trajnerit Foda, po të tregojnë edhe rezultatet tash. Por gjithsesi një trajner e vlerëson mas shumti puna që e bënë. E këtë mas miri e vlerësojnë futbollistët tanë, pasi ne futbollistët i kemi nëpër ligat më të mira të Evropës. E kemi Rrahmanin si kampion i Italisë me Napolin, e kemi Vedat Muriqin në La Liga, pastaj futbollistë në Bundesliga, si Rexhbeçaj e Asllani, kemi në Ligën e Francës, Edon Zhegroven dhe në Premier League, Aro Muriçin. Sigurisht që ka shumë futbollistë në shumë klube të mëdha dhe ata kanë pasur punë dhe kanë punë me trajner të nivelit më të lartë të mundshëm. Dhe kur ata e vlerësojmë punën e trajnerit Foda, mua nuk mbetet diçka tjetër veçse me e përkrah dhe me i dhënë lëvdata për punën që e bënë”, theksoi Ademi.
Ai tutje theksoi se shpreson që me këtë trajner dhe me këtë gjeneratë të futbollistëve të arrijnë të shpallen kampion të Grupit 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve.
“Uroj që në këtë kohë të marrim zenitin ose të shpallemi kampionë të kësaj lige në të cilën jemi duke bë gara tash, ku na kanë ngelur edhe dy ndeshje në nëntor, me Rumaninë dhe me Lituaninë”, shtoi i pari i FFK-së.