Ademi: Karriera e Atdheut, shembull i jashtëzakonshëm

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi përmes një postimi në Instagram i ka uruar suksese Atdhe Nuhiut pas vendimit që t’i japë fund karrierës si futbollist, duke i dëshiruar suksese në rolin e trajnerit. Ademi ka theksuar se e presin krahëhapur Atdheun edhe në ekipet kombëtare.

Postimi i plotë i Ademit:

Atdhe Nuhiu, njëri nga sulmuesit më të spikatur që ka përfaqësuar Kosovën, ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij si futbollist, duke kaluar menjëherë në një kapitull të ri, në profesionin e trajnerit, fillimisht si ndihmëstrajner te skuadra e tij e deritashme, Altach.

Me vendimin për të vazhduar në rolin e trajnerit, Atdheu ka dëshmuar që me përvojën e tij të pasur ndërkombëtare do të vazhdojë të frymëzojë breza të rinj futbollistësh.

Nga debutimi i tij në Austri me Wels, aventurat e tij me Rapid Wien, Austria Karntenin, pastaj te klubi turk Eskishehirspor, e te ai qipriot APOEL dhe një karrierë e shkëlqyeshme në Sheffield Wednesday në Angli, e deri te përfaqësimi i Kosovës në arenën ndërkombëtare, pa dyshim karriera e Atdheut është një shembull i jashtëzakonshëm i përkushtimit dhe profesionalizmit.

Me këtë rast Atdheun e falënderoj për gjithçka që ka dhënë për futbollin kosovar dhe i uroj suksese të mëdha në rolin e tij të ri si trajner!

Urojmë që në të ardhmen edhe nga kjo pozitë do të kontribuojë për ekipet tona kombëtare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *