Reali ‘pushton’ Evropën për herë të 15-të

2 min read

Real Madridi e ka fituar trofeun e 15-të të garës më të çmuar për klube në Evropë. Të shtunën në “Wembleyn” ikonik, madrilenët fituan në finalen e nëntë rresht nga po aq sa i kanë zhvilluar prejse gara mori emrin Liga e Kampionëve.

Real Madridi mposhti Dortmundin me rezultatin 2:0, me dy gola të realizuar në pjesën e dytë.

Në pjesën e parë, Dortmundi shfaqi më shumë por nuk shënoi gol.

Me të nisur pjesa e dytë, madrilenët shfaqën fytyrë tjetër dhe arritën t’i shënonin dy gola.

Dani Carvajal në minutën e 74-t e shënoi golin e parë me kokë pas harkimit të Toni Kroosit, ndërsa Vinicius Junior me asistim të Jude Bellinghamit, e vendosi rezultatin final të takimit.

Nicklas Fullkrug shënoi për Dortmundin në minutën e 85-të, por goli u anulua për pozitë jashtë loje.
Fullkrug e qëlloi edhe shtyllën në pjesën e parë.

Për Real Madridin kompletohet një tjetër edicion i suksesshëm, pas triumfit në La Liga për herën e 36-të.

Dortmundi i kaloi pritshmëritë në këtë edicion të Championsit dhe u paraqit në finale, por i mungoi freskia në momentet vendimtare.

Për Toni Kroosin ishte ndeshja e fundit në nivel klubesh pasi ka paralajmëruar pensionimin nga futbolli aktiv, pas “Euro 2024”. Ai ka gjashtë trofe të fituar në Ligën e Kampionëve.

Edhe te Dortmundi ndeshjen e fundit e zhvilloi Marco Reus, pas më shumë se një dekade. Reus humbi edhe në finale të Championsit në vitin 2013 me Dortmundin, nga Bayern Munichu.

Ndërkohë, Carlo Ancelotti vazhdon të shkruajë histori në Ligën e Kampionëve. Tekniku italian ka pesë trofe të Championsit në total. Tri prej tyre i ka fituar me Real Madridin, ndërsa dy herë ka triumfuar me Milanin. Bob Paisley, Zinedine Zidane dhe Pep Guardiola mbeten me tri trofe të fituar në Champions./Koha/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *