June 17, 2024

Distria Krasniqi e Akil Gjakova shpallen sërish më të mirët nga Komiteti Olimpik i Kosovës

2 min read

Xhudistët Distria Krasniqi e Akil Gjakova janë shpallur sportistët më të mirë të vitit 2023 në Kosovë. Ceremonia e Komitetit Olimpik të Kosovës, “Laureatët 2023”, është mbajtur të mërkurën mbrëma në Prishtinë.

Krasniqi e Gjakova kishin vit të suksesshëm dhe për herë të katërt janë shpallur më të mirët e vitit. Distria i kishte gjashtë medalje nga ngjarjet e mëdha vjet, duke përfshirë medaljen e argjendtë në Kampionat Evropian. Ndërkohë Akil Gjakova e fitoi të artën në Kampionatin e Hapur Evropian të Xhudos të mbajtur në Prishtinë. Në Kampionatin e rregullt Evropian ishte i treti.

“Një falënderim i veçantë për trajnerin tim që më ka udhëhequr drejt sukseseve. Ndihem me fat që e kam përkrah një trajner kaq të përkushtuar, pa të cilin këto suksese nuk do të ishin të mundura. Këtë vit i uroj suksese gjithë sportistëve olimpistë. E falënderoj edhe familjen time”, ka thënë Distria Krasniqi. “Ndjenjë e veçantë të shpallem sportist i vitit. Pas shumë vështirësive do ta cilësoja vitin 2023 si më të mirin në karrierë. E veçoj Evropianin në Prishtinë. U dëshiroj sportistëve shumë fat këtë vit. Unë me trajnerin tim dhe me të gjithë në klub do të mundohemi të dërgojmë Kosovën në piedestal në Lojërat Olimpike”, ka theksuar Akil Gjakova.

Trajner i vitit u shpall kryemjeshtri i xhudos, Driton Kuka. Kuka shpallet më i miri prej se KOK-u e mban ceremoninë. Pra ka tetë çmime deri më tani. Përfaqësueset më të mira të vitit ishin ajo e futbollit te femrat dhe e tenistit te meshkujt. Futbollistet kaluan nga Liga C në Ligën B të Ligës së Kombeve. Tenistët kalun një nivel më lartë në Davis Cup. Kampionit të Kosovës në futboll, Ballkanit i takoi çmimi special. Taekëondisti Bleron Ademi dhe mundësja Lonisa Reka janë shpallur sportistët më të mirë të ri të vitit 2023. Këto ishin çmimet e ndara në bazë të rregullores që e ka KOK-u. Përfaqësuesja e karateisteve u shpërblye me mirënjohje për arritje të veçantë. Është nderuar edhe gazetari sportiv, Gani Kosumi, ndërsa mirënjohje Post Mortem janë ndarë për gazetarët Agim Binaku e Milaim Krasniqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *