July 2024
M T W T F S S
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031  
July 2, 2024

Albion Rrahmani: Pres të ftohem në Kombëtare

3 min read

Albion Rrahmani priti më gjatë se që kishte menduar për të luajtur për Rapidin e Bukureshtit. Transferimi i tij ishte kompletuar më 7 gusht, por të drejtën e lojës e fitoi vetëm javën e kaluar. Debutoi të premten e kaluar.

Përfundimisht ishte një debutim ëndrrash. 22-vjeçari nga Podujeva shënoi dy gola në fitoren 5:3 ndaj U Craoivas. U aktivizua në fillim të pjesës së dytë dhe menjëherë shfaqi vlerat.

Të martën, Rrahmani u përfshi në ekipin më të mirë të xhiros së shtatë të kampionatit rumun. Më herët u shpall lojtar i ndeshjes sipas votimit të tifozëve të Rapidit.

Mediumet rumune shkruajnë vazhdimisht për Rrahmanin. Është momenti i tij.

“Ishte një ndjenjë shumë e mirë. Natyrisht që nuk e kam pritur të debutoj në atë mënyrë. Por futbollit nuk i dihet asnjëherë. Ndodhi më e mira për mua. Shënova dy gola dhe besoj se do të vazhdojë të shënojë”, ka thënë Rrahmani të martën për KOHËN.

Ai është transferuar nga Ballkani i Suharekës për 600 mijë euro. Te kampioni kosovar kishte shënuar rregullisht gola.

Menjëherë të premten, Rrahmani do të sfidohet sërish. Rapidi luan derbin me Dinamo Bukureshtin.

“Patjetër që do të mundohem të vazhdoj me shënimin e golave. Kjo është puna ime si sulmues, të shënoj sa më shumë gola dhe të ndihmojë ekipin të realizoj synimin”, ka shtuar sulmuesi.

Rrahmani është pritur shumë ngrohtë nga tifozët e Rapidit. Pas shënimit të golave është bërë edhe më i dashur. Ata tashmë janë të njoftuar që Rrahmani në Kosovë njihej me nofkën “Lewandowski”.

“Janë shumë të pasionuar pas futbollit dhe më kanë pritur shumë mirë. Më kanë thirrur ‘Lewandowski’. Edhe shokët e skuadrës më thirrin kështu”.

Transferimi nga skuadrat rumune në nivele më të larta të futbollit evropian ndodh shpeshë. Rrahmani e di këtë. Ai megjithatë, është i koncentruar te Rapidi, ndërsa thotë se mbetet të shihet se çka do të dal rrugës.

“Synimi im është patjetër që të luaj në top-klubet botërore. Është një ëndërr për të cilën duhet të punoj fort dhe me kokën ulur për ta realizuar”, thotë Rrahmani.

Rrahmani ka shpërthyer në vitet e fundit, por në fillim karriera e ka sfiduar goxha. Një kohë madje ishte larguar nga futbolli.

“Në fillim ka qenë shumë e vështirë, por me ndihmën e babait dhe menaxherit Kastriot Telaku jam këtu ku jam sot. Nuk do të ndalem asnjëherë që ta bëj familjen time krenare. Ishte një moment kur e kam lënë futbollin për gjashtë muaj dhe vendosa të mos e vazhdoj fare. Por ishte babai dhe familja ime që më përkrahën dhe më kthyen sërish në fushë. Ka pasur nënvlerësime ndaj meje, por edhe fjalë jo të duhura nga trajneri që më shtynë të largohem për një kohë”, tregon Rrahmani. Ai është ngritur gradualisht në futbollin kosovar. Tani ka prekur nivel të ri.

Babai i Albionit, Driton Rrahmani, ishte emër i njohur në futbollin kosovar. Dritoni kujdeset shumë për karrierën e të birit.

“Natyrisht se babai çdo herë pas ndeshjes më flet shumë. E njeh shumë mirë botën e futbollit. Edhe kur shënoj dhe luaj mirë ai prapë ka kritika. Ai gjithnjë e përsërit që vetëm me disiplinë, punë, angazhim dhe duke mbajtur kokën ulur, vijnë të gjitha gjërat”, thotë Albioni për raportin me babain e tij.

Fillimi i shtatorit është i rezervuar për ndeshje të përfaqësueseve. Pas shpërthimit në Rumani, Rrahmani shpreson në ftesë nga Kosova.

“Patjetër që pres të jam pjesë e Kosovës dhe ta përfaqësoj vendin tim me nder dhe krenari. Ende nuk ka asgjë, jam duke pritur dhe jam shumë i gatshëm”, ka thënë Rrahmani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *