July 2024
M T W T F S S
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031  
July 2, 2024

BATE Borisov beson së mund ta eliminojë Ballkanin

3 min read

Te skuadra nga Bjellorusia, BATE Borisov besojnë se mund ta eliminojnë kampionin e Kosovës, Ballkanin dhe do të paraqiten në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës për edicionin 2023/24. Këto dy skuadra, do të përballen në fazën e plejofit të kësaj gare, me fituesin që avancon në grupe. Ndeshja e parë mes Ballkanit dhe BATE-s, zhvillohet javën e ardhshme në Kosovë.

Të enjten mbrëma, Ballkani e pret ekipin bjellorus në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Ndërkohë, ndeshja e dytë mes këtyre dy skuadrave, do të zhvillohet në Hungari, pasi UEFA nuk lejon ekipet nga Bjellorusia që në garat evropiane të luajnë në vendin e tyre për shkak të përkrahjes që i ka dhënë Rusisë në luftën kundër Ukrainës.

UEFA ka vendosur që ky ballafaqim të luhet në stadiumin “Mezokovesd Varosi”, që ka kapacitet prej 4500 ulëseve. BATE Borisovi, u eliminua në rundin e tretë kualifikues të Ligës së Evropës dhe po e kërkon mundësinë e luajtjes në garat evropiane në plejofin e Ligës së Konferencës. Rrugëtimin këtë edicion në garat e UEFA-s, BATE e nisi në Ligën e Kampionëve, ku në raundin e parë e eliminoi Partizainin e Tiranës, përpara se të eliminohet nga Aris Limassoli i Qipros në të dytën. Pas kësaj, BATE garat i vazhdoi në kualifikimet e Ligës së Konferencës, ku u eliminua nga Sheriff Tiraspoli i Moldavisë, me rezultatin e përgjithshëm 7:3. Trajneri Kirill Alshevsky në një prononcim për faqen zyrtare të klubit të tij, ka thënë se beson që BATE do të kualifikohet në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Ai ka vlerësuar skuadrën e Ballkanit, por ka thënë se është një kundërshtar që mund të kalohet, sidomos në këtë fazë kur grupet e Ligës së Konferencës janë larg vetëm 180-të minuta.

“Ballkani është një ekip i mirë, i cili ka treguar paraqitje të mira në kualifikimet e këtij edicioni, ku luajti edhe kundër Ludogoretsit. E kemi parasysh se çfarë na pret në ndeshjen e parë në Kosovë por jemi të gatshëm për këtë duel. Besoj se me paraqitjen tonë dhe planin që e kemi, do të luajmë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Kjo është shumë e rëndësishme për ekipin tonë”, është shprehur Alshevsky. “Do të jenë ndeshje të forta dhe besoj në ekipin tim dhe sigurisht që pres rezultat të favorshëm qysh në ndeshjen e radhës”.

BATE Borisov është ekipi më i suksesshëm i futbollit në Bjellorusi, me 15 tituj kampioni të fituar. Edicionin e shkuar, përfundoi i treti ndërsa përvoja në arenën ndërkombëtare nuk i mungon aspak. Është ekipi i vetëm nga Bjellorusia që ka luajtur në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, në të cilën është kualifikuar në gjashtë raste. Po ashtu, i ka edhe katër paraqitje në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. Në anën tjetër, Ballkani po paraqitet për herën e dytë rresht në arenën evropiane. Edicionin e shkuar, arriti suksesin më të madh pasi u bë ekipi i parë nga Kosova që u kualifikua në fazën e grupeve të njërës prej tri garave të UEFA-s. Luajti në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, në të cilën po synon sërish të paraqitet. Edhe Ballkani, garat këtë edicion i nisi në Champions por u eliminua në raundin e parë kualifikues nga Ludogoretsi i Bullgarisë. Aventurën e vazhdoi në Ligën e Konferencës dhe pasi eliminoi Larnen e Irlandës së Veriut dhe Lincol Red Imps të Gjibraltarit, Ballkani është para pengesës së fundit – BATE Borisov – për ta përsëritur suksesin e vitit të shkuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *