Kapiteni i kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani ka folur për ëndrrën e tij – kualifikimin me Kosovën në një Kupë...
Day: October 16, 2025
Albi Mall Superliga e Kosovës rikthehet në aksion pas pushimit të ndeshjeve të Kombëtareve. Federata e Futbollit të Kosovës tanimë...
Përzgjedhësi i Kombëtares së Brazilit, Carlo Ancelotti, ka zbuluar ambiciet e tij për Kupën e Botës 2026 në një intervistë...
INTERVISTA E PLOTËPresidenti i FIFAs, Gianni Infantino, vizitoi javën e kaluar Kosovën për të marrë Medaljen Presidenciale të Meritave nga presidentja Vjosa Osmani, një nder ky për kontributin e tij ndaj futbollit kosovar. Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, pas vizitës së parë historike më 29 shtator të 2022s, ai dha edhe një intervistë ekskluzive për ‘FFK Podcast’ me Bajram Shalën, ku foli për rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në UEFA dhe FIFA, për zhvillimin e futbollit në vend dhe për punën e FFK-së dhe presidentit Agim Ademi. Në intervistë, Infantino shprehu emocionet e tij lidhur me nderimin që mori, ndikimin e futbollit në ndërtimin e identitetit të Kosovës, dhe rëndësinë e investimeve te të rinjtë dhe në infrastrukturë për zhvillimin e futbollit në vend. I nderuar z. president, është një privilegj dhe nder i vërtetë për mua t’ju mirëpres në këtë intervistë në emër të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe në emër të gjithë familjes së futbollit në vendin tonë, e cila do të jetë përgjithmonë mirënjohëse dhe falënderuese ndaj jush për mbështetjen e pakushtëzuar gjatë rrugëtimit tonë në FIFA dhe para anëtarësimit tonë në UEFA dhe FIFA. Mirë se u ktheve. Infantino: Si ndjesi, është fantastike të jem sërish këtu në Kosovë. Është e mrekullueshme të marrësh këtë nderim, Medaljen Presidenciale të Meritës nga presidentja Osmani, si president i FIFA-s. Sigurisht, ndihem jashtëzakonisht i nderuar për këtë çmim. Personalisht ndjej shumë emocione, sepse kam kaluar nëpër gjithë historinë e Kosovës dhe procesin e anëtarësimit të saj në UEFA dhe gjithashtu në FIFA. Në Kongresin tim të parë si president i FIFA-s, Kosova u pranua në familjen e FIFA-s, dhe pata nderin të isha president i FIFA-s në atë kohë. Ishte nëntë vjet më parë. Kështu që vitin e ardhshëm do të kemi edhe diçka më shumë për të festuar, dhjetëvjetorin e pranimit në FIFA. Në një nivel të ri... Infantino: Saktësisht. Absolutisht. Një nder i madh, vërtet një nder i jashtëzakonshëm dhe një emocion i madh. Ashtu siç thatë, është hera e dytë që vini këtu brenda një periudhe të shkurtër. Si ndiheni dhe cilat janë përshtypjet tuaja për Kosovën si shtet, por veçanërisht në aspektin e futbollit, për zhvillimin e Federatës dhe të futbollit në përgjithësi në Kosovë? Infantino: Më lejoni të them, para së gjithash, se sigurisht kjo medalje, ky çmim, i dedikohet Fadil Vokrrit. E kam takuar shumë herë dhe nëse Kosova është ajo që është sot, si në aspektin e jetës futbollistike, ashtu edhe si shtet, ai padyshim meriton shumë lavdata. Ai përfaqëson qëndrueshmërinë dhe forcën e popullit të Kosovës. Dhe, e dini, për mua ka qenë një privilegj i madh ta njoh atë. Dhe nëse shohim se si është zhvilluar futbolli në Kosovë gjatë dhjetë viteve të fundit, që nga anëtarësimi në UEFA dhe FIFA, është vërtet diçka e jashtëzakonshme. Dua të them, investimet që janë bërë nga Federata për futbollin e vajzave, për futbollin e meshkujve, për ekipet kombëtare janë mbresëlënëse. Sot, askush nuk dëshiron të vijë të luajë kundër Kosovës, sepse të gjithë kanë frikë se do të humbasin. Dua të them se ekipi është i fortë dhe ju keni kaq shumë tifozë në Kosovë dhe gjithandej. Këto janë shembuj për të rinjtë e një vendi të ri, i cili ka nevojë të ndërtojë gjithashtu identitetin e vet si shtet. Dhe futbolli, padyshim, kontribuon shumë në këtë drejtim. Sigurisht, mund të shohim edhe renditjen e ekipit kombëtar dhe gjithashtu rezultatet që janë arritur. Mund të shohim ekipet e të rinjve dhe pasionin që vazhdon të rritet. Mund të shohim gjithashtu edhe ligën vendore. Po ashtu, mund të shohim të gjithë lojtarët nga Kosova, ndoshta të brezit të dytë. Disa prej tyre janë të brezit të tretë, disa të tjerë janë të brezit të dytë. Saktësisht. Të gjithë e duan vendin e tyre dhe duan të kthehen për të luajtur për kombëtaren e tyre. Mendoj se kjo tregon se puna që po bëhet këtu është e shkëlqyer. Jemi të vetëdijshëm që është hera e dytë që vini këtu, por për një kohë shumë të shkurtër, dhe ndoshta nuk keni pasur mundësinë të shihni shumë. Megjithatë, me siguri keni marrë informacione nga njerëzit përreth jush për ndikimin që kanë pasur programet e FIFA-s në zhvillimin që përmendët. Cilat janë mendimet tuaja në përgjithësi për zhvillimin që po bën futbolli ynë dhe për rrugëtimin që po ndjek? Infantino: Mendoj se ndikimi që FIFA dhe UEFA ka pasur, ka qenë shumë i madh. Por duhet të them gjithashtu se ne i japim çdo vendi të njëjtat fonde mbështetëse dhe pastaj, gjithçka varet nga ajo që vendi bën me to dhe si i përdor ato mundësi. Dhe në Kosovë, këtu me mikun tim Agim Ademi, puna që është bërë është absolutisht e shkëlqyer. Këtë e shohim te gjyqtarët, e shohim te zhvillimi i të rinjve, te ekipet kombëtare të të rinjve. Talenti që keni nuk do të dalë në pah nëse nuk punojmë për ta, nëse nuk e kultivojmë atë. Dhe puna që është bërë është vërtet e jashtëzakonshme, sepse, sigurisht, bëhet fjalë për një vend të ri. Është një vend që ende po ndërtohet, apo jo? Prandaj, kontributi i futbollit në vetë shtetin mendoj se është shumë i rëndësishëm. Dhe ajo që është bërë nga Federata, mund vetëm t’i përgëzoj dhe t’i uroj për gjithë punën që kanë bërë deri tani. Mendoj se faza e ardhshme, nëse mund ta them kështu, duhet të jetë në bashkëpunim me UEFA dhe FIFA, me qeverinë, për të investuar më shumë në infrastrukturë. Dhe ky është pikërisht qëllimi ynë thelbësor, 100%. Kjo është ajo që na duhet për të arritur nivelin më të lartë, më të lartë në Evropë gjithashtu. Dhe sigurisht na duhet edhe mbështetja juaj për të shtyrë pak më tej përmes institucioneve këtu. Si mendoni? T’i përdorni lidhjet tuaja me presidenten e shtetit tonë? Infantino: Më besoni, unë po e bëj këtë. Do ta bëj. E thashë edhe në fjalimin tim më herët. Duhet të besoni te të rinjtë. Duhet të investoni si shtet. Kjo është një investim në një ëndërr, në një mundësi dhe në një shpresë për fëmijët. Jo që çdo fëmijë të bëhet futbollist profesionist, ky nuk është qëllimi, por qëllimi është t’i edukojmë, t’u japim mundësi dhe shanse. Futbolli është shumë i rëndësishëm për shumë arsye, jo vetëm si lojë, por edhe për të edukuar fëmijët. Për këtë na nevojitet infrastrukturë, na duhet ta ndjejmë, na duhen stadiume. Na duhet një vizion/projeksion për të ardhmen, që jam i sigurt se edhe qeveria do ta marrë parasysh dhe do të bashkohen në këtë vizion....
Pas një fushate mbresëlënëse në kualifikimet për Kupën e Botës, përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, ka lënë të...
Gjyqtarja kosovare Florentina Kallaba ka arritur suksesin më të madh në karrierën e saj, pasi është përzgjedhur në mesin e...
