Xavi: Dera e Barcelonës është gjithmonë e hapur për Messin

Ka shumë mundësi që ylli argjentinas Lionel Messi të largohet nga PSG në fund të sezonit dhe trajneri i Barcelonës dhe miku i tij i madh, Xavi Hernandez, ka deklaruar edhe një herë publikisht se do të dëshironte që ai të kthehej në ‘Camp Nou’.
Kjo deklaratë vjen pasi dolën informacione se javën e kaluar ka pasur një takim mes Joan Laporta dhe babait të sulmuesit të Paris Saint-Germain, Jorge Messi, i cili është agjenti i tij.
“Barcelona është shtëpia e Messit dhe dera është gjithmonë e hapur për të, këtë e kam thënë tashmë dhe nuk ka asgjë të re për të shtuar këtu. Ai është miku im dhe ne mbajmë kontakte të vazhdueshme, dhe gjithçka për të ardhmen e tij varet nga vetë Messi. Nuk ka dyshim se futbollisti më i mirë në botë dhe në histori do të përshtatej në skuadër”, tha Xavi në konferencën për shtyp para ndeshjes së sotme me Manchester United në Ligën e Evropës.