Vushtrria e fiton barazhin e parë me spektakël në Klinë, ia dedikon Erjon Morinës

Vushtrria e ka fituar barazhin e Ligës së Parë me Lirinë e Prizrenit. Të shtunën në stadiumin “18 Qershori” në Klinë, në një atmosferë të shkëlqyeshme të krijuar nga dy tifogrupet “Forca” dhe “Arpaxhikët”, Vushtrria fitoi përballë Lirisë së Prizrenit me rezultat 3:1.
Tani do të nis përgatitjet për ndeshjen vendimtare, barazhin me skuadrën e Superligës, e cila ende nuk është vendosur se kush do të jetë, Llapi apo Suhareka.
Liria e nisi mirë ndeshjen dhe realizoi me Dijar Nikqin në minutën e 10-të. Shifrat në 1:1 i barazoi Daut Maxhuni, në minutën e 36-të. Në minutën e 55-të, Theophilus Solomon e kaloi në epërsi Vushtrrinë, pasi ishte i saktë nga penalltia. Gol për Vushtrrinë në minutën e dhjetë të kohës shtesë shënoi edhe Urim Statovci. Goli u pranua pas rishikimit të situatës në VAR.
Këtë fitore futbollistët e Vushtrrisë ia kanë dedikuar ish-bashkëlojtarit të tyre, Erjon Morina, i cili pati ndërruar jetë pas një ataku në zemër.
Liria ishte në vendin e dytë të Grupit A të Ligës së Parë, ndërsa Vushtrria e dyta në Grupin B.
Drenica dhe Prishtina e Re e siguruan promovimin direkt në Superligë.
Vushtrria në ndeshjen e barazhit për ngjitje në Superligë do ta luajë ndaj Llapit apo Suharekës.
Llapi është në pozitën e barazhit aktualisht, të tetën, me 44 pikë. Dy pikë më pak i ka Suhareka në vendin e nëntë.
Feronikeli 74 do të bëj gara në Ligën e Parë në edicionin e ardhshëm.