Vojvoda: Jam krenar që zgjodha Kosovën
Mërkim Vojvoda ka rrëfyer detaje të rëndësishme nga karriera e tij, duke u ndalur veçanërisht tek vendimi për ta përfaqësuar Kosovën.
Mbrojtësi i Comos, që më parë kishte luajtur 12 ndeshje me Shqipërinë U21 (2014-2016), përzgjodhi Kosovën pasi kjo e fundit u njoh nga FIFA. Që nga debutimi i tij në vitin 2017, ai ka regjistruar 63 paraqitje me ekipin kombëtar, vetëm një më pak se kapiteni Amir Rrahmani, i cili kryeson listën e futbollistëve me më shumti ndeshje për Kosovën.
“Kam filluar me Shqipërinë U21 në moshën 19-vjeçare, por pasi Kosova u pranua nga FIFA, mora vendimin të ndryshoja dhe të luaja për vendin tim. Sot jam krenar për atë zgjedhje,” ka deklaruar Vojvoda në një intervistë për faqen zyrtare të Comos.
Si mbrojtës krahu, 30-vjeçari ka treguar aftësi për të luajtur edhe në krahun e majtë apo si qendërmbrojtës. “Gjatë viteve kam zhvilluar një stil loje që nuk është tipik për një mbrojtës qendre, por më ka ndihmuar të kuptoj më mirë rolin tim dhe përgjegjësitë e mia,” ka theksuar ai.
Idhulli i tij në futboll ka qenë gjithmonë Ronaldinho, ndërsa Chelsea dhe Barcelona janë klubet që e kanë impresionuar me stilin e tyre të lojës. “Ronaldinho ishte arsyeja që unë u dashurova me futbollin. Ai ishte unik,” ka thënë Vojvoda.
Në edicionin aktual të Serie A, Vojvoda ka zhvilluar 20 ndeshje, tre prej tyre me Comon, skuadrës që iu bashkua në shkurt, ndërsa pjesa tjetër me Torinon. Momentalisht, Como renditet në vendin e 13-të me 30 pikë.
“Qëllimi ynë kryesor është të sigurojmë mbijetesën në Serie A, pasi sezonin e kaluar ishim në Serie B. Kjo do të na ndihmojë të krijojmë një bazë të fortë për të ardhmen. Gjithashtu, synojmë të arrijmë diçka të jashtëzakonshme dhe të surprizojmë,” ka përfunduar mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës.
