Superliga vjen sot me sfida të nxehta
photo by: @Shpend Ahmeti
Superliga e Kosovës në futboll rikthehet sot me një seri ndeshjesh tërheqëse në kuadër të xhiros së 33-të, duke sjellë përballje të rëndësishme në garën për titull, por edhe sa i përket garës për t’iu shmangur pozitës që dërgon në barazh. Ballkani do të përballet me një sfidë të fortë si mysafir kundër Malishevës në stadiumin “Liman Gegaj”. Kjo ndeshje nuk do të jetë e lehtë për kampionët në fuqi, pasi ata duhet të sigurojnë fitoren për të ruajtur avantazhin e tyre në krye të tabelës.
Mjaft interesante do të jenë edhe dy sfida tjera ku Prishtina do të ballafaqohet me Dritën, ndërsa Gjilani do të përballët me Llapin. Këto ndeshje pritet të jenë tërheqëse, duke pasur parasysh që ekipet mysafire janë në kërkim të tre pikëve për të vazhduar garën për titull. Megjithatë, skuadrat vendase nuk do të jenë të gatshme për të lënë lehtë t’u ikin pikët, e sidomos Gjilani që po synon t’i shmanget pozitës së barazhit.
Në anën tjetër, Dukagjini dhe Feronikeli 74 do të përballen me Fushë Kosovën dhe Lirinë. Edhe pse këto skuadra kanë humbur statusin elitar, pritet që të japin një paraqitje të mira. Ndeshjet e Superligës së Kosovës fillojnë në orën 15:00.
