Shuhet ëndrra, eliminim me nder i Kosovës
Një prekje e lehtë e Kerim Akturkoglut doli të jetë goditje e rëndë për Kosovën. Goditje që i dha fund ëndrrës së miliona shqiptarëve për paraqitje në Kampionatin Botëror që pas pak javësh fillon në SHBA, Meksikë e Kanada.
Akturkoglu shënoi gol në minutën ef 53-të për fitoren 1:0 të Turqisë ndaj Kosovës, të martën mbrëma në “Fadil Vokrri”. Ishte finale e plejofit evropian për kualifikim në Kupën e Botës.
Kështu, Kosova u ndal në pengesën e fundit në rrugën e gjatë për në Botëror. Është një eliminim i dhimbshëm por edhe i denjë e me nder. “Dardanët” kanë luftuar deri në fund në një ndeshje thuajse të barabartë. Dhe mund të jenë krenarë për paraqitjen e po ashtu për rrugëtimin historik. Rrugëtim që jep shumë shpresë se kualifikimet e ardhshme, për Evropian, do të jenë të Kosovës.
Kosova kishte rastet. Kishte edhe periudhat kur dominoi plotësisht në fushë. Rastet i kishte edhe Turqia.
Dhe në fund dallimin e bëri një vendosje jo e duhur e lojtarëve të Kosovës, përkatësisht një aksion i shpejtë i realizuar nga turqit.
Pas disa pasimeve të shpejta, topi erdhi në krahun e majtë te Kenan Yildiz. Ai e ktheu tek Orkun Kokçu, që goditi por jo fuqishëm. Megjithatë pranë portës ishte Akturkoglu që realizoi golin e dëshpërimit të madh për miliona shqiptarë.
Turqia kthehet në Botëror pas 24 vjetësh, ndërsa Kosova duhet të presë një rast tjetër.
Dëshpërimi do të jetë i përkohshëm e shpresa për sukses do të kthehet shpejt dhe do të jetë e madhe.
Kampanja kualifikuese për Botërorin që “iku nga dora” është garanci për këtë. Fitoret ndaj Suedisë, barazimi e fitorja ndaj Sllovenisë, barazimi me Zvicrën, fitorja madhështore ndaj Sllovakisë në Bratislavë dhe përfundimisht edhe paraqitja e denjë ndaj yjeve të Turqisë.
Kosova nuk shënoi, por golit iu afrua. Fisnik Asllani qëlloi shtyllën e gjatë gjithë ndeshjes kishte tentime, nga Asllani, Vedat Muriqi, Florent Muslija e të tjerët.
Raste të pastërta nuk kishte shumë, por kishte iniciativë, dominim dhe tentime të vazhdueshme.
Në fund festa ishte për turqit, por duartrokitjet ishin edhe për “Dardanët”. Me plot meritë. Ata mund të jenë larguar nga “Fadil Vokrri” me kokën lartë dhe krenarë për luftën maksimale në fushë.
