Sheikët nuk kanë të ndalur | 300 milionë dollarë në sezon që Lionel Messi të transferohet në Arabinë Saudite

Klubi saudit Al Hilal është gati t’i ofrojë Lionel Messit 300 milionë dollarë në sezon për ta sjellë atë në Arabinë Saudite dhe për ta rinovuar rivalitetin me Cristiano Ronaldon. Në këtë mënyrë dy yjet e mëdhenj pas disa vitesh do të luanin sërish në të njëjtën ligë futbolli.
Cristiano Ronaldo së fundmi ka zyrtarizuar transferimin te Al-Nassr, për të cilin klub ende nuk ka luajtur për shkak të pezullimit nga koha e tij te Manchester United. Përveç Ronaldos, Al-Nassr ka edhe disa lojtarë të tjerë shumë seriozë në skuadrën e tij dhe po paralajmërojnë përforcime të reja dhe rivali më i madh nuk planifikon të rrijë duarkryq.
Al Hilal, skuadra që është kampion aktual i Arabisë Saudite dhe që me 65 tituj është klubi më i trofeshëm në Azi, kërkon Leo Messin. Kështu pretendon “Mundo Deportivo”, dhe paga e futbollistit më të mirë argjentinas do të ishte 300 milionë dollarë në vit.
Messi tashmë ka një marrëdhënie me Arabinë Saudite, pasi ai e promovon atë vend si ambasador për turizmin.
Argjentinasi ka kontratë me Paris Saint-Germain deri në fund të sezonit aktual, por ka shumë gjasa që ta zgjasë edhe për një sezon tjetër.