Presidenti Ademi takon Zëvendëskryeministrin Konjufca, diskutohet rreth përgatitjeve për ndeshjen ndaj Sllovakisë
Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, së bashku me anëtarin e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Samir Ujkani, dhe menaxherin e ekipit kombëtar, Bajram Shala, kanë zhvilluar sot një vizitë pune te Zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca.
Gjatë takimit u diskutua për përgatitjet e ekipit kombëtar të Kosovës për ndeshjen e rëndësishme kundër Sllovakisë, në kuadër të fazës së “play-off”-it për kualifikim në Kupën e Botës 2026. Duke pasur parasysh se Sllovakia është njëra nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, në takim u trajtua edhe organizimi sa më i mirë i udhëtimit të delegacionit të Kombëtares drejt Bratisllavës, si dhe mbarëvajtja e të gjitha aspekteve organizative gjatë qëndrimit atje.
Presidenti Ademi e informoi Zëvendëskryeministrin Konjufca për përgatitjet që po bëhen nga federata dhe stafi i ekipit kombëtar, duke theksuar rëndësinë e kësaj ndeshjeje për futbollin kosovar.
Nga ana e tij, Konjufca përgëzoi Federatën e Futbollit të Kosovës për rezultatet e arritura deri më tani, duke theksuar se puna ekipore dhe angazhimi i përbashkët kanë sjellë fitore të rëndësishme dhe e kanë përfaqësuar denjësisht vendin në arenën ndërkombëtare.
Ai gjithashtu vuri në pah se institucionet shtetërore do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për ta mbështetur Kombëtaren e Kosovës në këtë rrugëtim të rëndësishëm.
Në fund të takimit, presidenti Ademi e falënderoi Zëvendëskryeministrin Konjufca për pritjen dhe për mbështetjen e vazhdueshme që institucionet e Republikës së Kosovës po i japin ekipit kombëtar në rrugëtimin drejt realizimit të synimeve të tij, teksa si shenjë falënderimi i dhuroi edhe fanellën e Kombëtares së Kosovës dhe topin e brenduar të FFK-së.
