Pepe: Jemi ekip i pjekur; E ardhmja ime? Jetoj të tashmen!
Pas fitores së thellë 3:0 të Portugalisë ndaj Turqisë në Euro 2024, mbrojtësi veteran Pepe ka theksuar rëndësinë e pjekurisë dhe qartësisë taktike të skuadrës së tij. Ai e vlerësoi ekipin për lojën e tyre të shkëlqyer dhe për mënyrën se si menaxhuan ndeshjen kundër një kundërshtari emocional si Turqia.
“Ndaj Republikës Çeke bëmë një lojë të shkëlqyer, pësuam një gol, por skuadra e dinte çfarë të bënte. Turqia është një ekip emocional, luan me pasion dhe shpesh e thyen ritmin e lojës. Ne jemi një ekip i pjekur, me pasime të thjeshta por që janë të vështira. Arritëm të shfrytëzojmë shumë gjerësinë e fushës, gjetëm Leão-n shumë herë në situata 1 me 1 në pjesën e parë dhe goli i parë erdhi nga një prej këtyre aksioneve,” deklaroi Pepe.
Mbrojtësi i vjetër gjithashtu vlerësoi atmosferën në stadium dhe mbështetjen e tifozëve portugezë, duke theksuar se edhe pse ishin më pak në numër, bënë një diferencë të madhe. “Ishte një ambient fantastik, me shumë tifozë turq, por dua të theksoj mbështetjen e tifozëve tanë. Ishin më pak në numër, por bënë një diferencë të madhe. Dua t’i falënderoj,” tha ai.
Pepe gjithashtu shprehu kënaqësinë e tij për kualifikimin e skuadrës në fazën e ardhshme të turneut. “Kjo i jep besim ekipit. Të gjithë lojtarët që janë këtu janë të rëndësishëm dhe trajneri gjithmonë e thekson këtë. Tani duhet të përgatitemi mirë për ndeshjen e ardhshme, duam të fitojmë, të vazhdojmë rrugën tonë me fitore dhe kjo është ajo që do të bëjmë,” shtoi Pepe.
I pyetur për të ardhmen e tij pas këtij Evropiani, Pepe u shpreh se fokusohet në të tashmen. “Unë përpiqem të jetoj nga dita në ditë. E nesërmja nuk më shqetëson shumë sepse duhet të shqetësohem për tashmen. Më e rëndësishmja është të jap kontributin tim për kombëtaren dhe të dal nga këtu me fitore dhe kualifikim,” përfundoi ai.
