Neymar i jep lamtumirën Brazilit: Kam bërë histori me fanellën e kombëtares

Një epokë ka marrë fund për futbollin brazilian. Neymar ka konfirmuar se nuk do ta veshë më fanellën e kombëtares së Brazilit, duke mbyllur një kapitull të jashtëzakonshëm në karrierën e tij ndërkombëtare.

Sulmuesi 34-vjeçar e bëri të ditur vendimin pas fitores së Santosit me rezultat 4:2 ndaj Universidad Central, duke theksuar se cikli i tij me “Seleçaon” ka përfunduar.

“Koha ime me ekipin kombëtar ka mbaruar. Besoj se kam bërë histori atje dhe kam qenë shumë i lumtur. Kam përjetuar shumë momente, kam dhënë gjithçka dhe gjithmonë kam luftuar për fanellën e verdhë”, deklaroi Neymar.

Neymar i jep fund aventurës me Brazilin pas 130 paraqitjeve, në të cilat realizoi 80 gola dhe regjistroi 59 asistime, duke u renditur ndër futbollistët më produktivë në historinë e kombëtares braziliane.

Edhe pse nuk arriti ta udhëheqë Brazilin drejt një triumfi në Kupën e Botës, ai ishte protagonist në disa turne madhorë dhe la gjurmë me paraqitjet e tij spektakolare, duke u shndërruar në një nga ikonat e futbollit brazilian të epokës moderne.

Me këtë vendim, mbyllet një rrugëtim që zgjati më shumë se një dekadë, ndërsa Neymar largohet nga kombëtarja si një prej emrave më të mëdhenj që ka veshur fanellën verdhejeshile.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *